Home / Histori / A MUND TË PËRSËRITET NJË “29 NËNTOR” I DYTË ?!

A MUND TË PËRSËRITET NJË “29 NËNTOR” I DYTË ?!

Nga Gjon BRUÇI

29 Nëntori po na troket në derë me lavdinë e tij të përjetshme.

Si po e presim këtë datë të madhe të historisë sonë ?

Fatkeqësisht jo siç e meriton.

-Dikush prej halleve të përditshme që nuk kanë të sosur, e ka harruar këtë datë, ndonëse në kalendar shënohet me të kuqe, që do të thotë se është pushim. Po, me të kuqe, si ditë pushimi kalendari ka mbi 48 të diela. Veçse, e kuqja e datës 29-të i kapërcen të kuqet e çdo të diele, i kapërcen të kuqet e gjithë të dielave të të gjithë shekujve tanë.

Nuk janë vetëm hallexhinjtë që e kanë “harruar” 29 Nëntorin. Janë edhe interesaxhinjtë, që pas ndërrimit të “havasë” e hodhën atë pas krahut për ta zëvendësuar me ndonjë datë tjetër në përshtatje me situatën dhe interesin. Mbi të gjithë janë delenxhinjtë, të cilët 29 Nëntorin e kanë nxjerrë përdhunisht nga agjenda zyrtare, me shpresën e marrë ta flakin edhe nga historia shqiptare.

Nuk e di se çdo të bëjë kryetari i shtetit, do të shkojë në datën 29 Nëntor pranë “Nënës Shqipëri”, së bashku me veteranët, familjet e dëshmorëve dhe qytetarët për të vendosur lule tek të rënët e kësaj date, apo do ta kapërcejë “zyrtarisht” këtë 72 vjetor me një takim rutinë aty në Presidencë, ku me siguri në krah do të ketë edhe bijtë e kundërshtarëve të 29 Nëntorit që “dekoroi” kohët e fundit. Ama, një gjë është e sigurt: Liderët e Partisë së quajtur paradoksalisht Demokratike, me sejmenët e tyre, edhe nëse shkojnë në këtë datë tek “Nënë Shqipëria”, më përpara do të ndërrojnë tapetin e kuq që vihet në këtë rast në sheshin para Monumentit. Nga të kuq, do ta kthejnë në blu. Se PD-ja e Lul-Berishës, edhe kur është në opozitë ka protokollet e veta, të cilat kapërcejnë edhe ato të shtetit. Në Shkodër, për shembull, ku ajo ka patur dhe ka drejtimin e Bashkisë, në asnjë vit të kësaj “demokracie” të përçudnuar nuk ka denjuar ta afishojë datën 29 nëntor 1944. Qoftë edhe formalisht në banderolat që ajo vendos në qytet. Edhe këtë vit, në pllakatet e bulevardit të këtij qyteti, që vendasit e quajnë “metropol i veriut”, shkruhet vetëm “28 NENTOR 1912”. Për ta, 29 Nëntori i 1944-s, nuk ekziston as në kalendar. Nuk e di se çfarë ndodh me Bashkitë e tjera të PD-së. A janë edhe ato si Shkodra, të ngjashme me “Zajednicat” e Kosovës?! Këtë mund të na e kumtojë pushteti qëndror me Prefekturat dhe prefektët e tij, të cilat në vend të çelësit të shtetit, kanë atë të kashtës!
-Shtrohet pyetja: Çka ndodhur me 29 nëntorin e vitit 1944, që shumica e shqiptarëve e nderojnë dhe respektojnë si ditën më të shënuar të historisë së tyre, ndërsa një pjesë tjetër, e të njëjtës racë, e të njëjtit truall, e të njëjtit shtet, e urren për vdekje sa mundohet ta zhdukë edhe nga fletët e kalendarit?
29 nëntori i viti 1944 ishte Epilogu i Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila pa asnjë diskutim shënon Epopenë më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar. Kurorën e kësaj lavdie e merituan komunistët. Jo vetëm, por bashkë me popullin dhe me elitën atdhetare të kombit tonë. Komunistët me Partinë e tyre të sapokrijuar në vitin 1941, ishin ata që iu drejtuan shqiptarëve dhe realizuan Bashkimin pa dallim feje, krahine dhe ideje në Frontin e madh Antifashist Nacionalçlirimtar për çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë. Dyert e këtij Fronti ishin të hapura deri ditën e madhe të Çlirimit. Çdo shqiptar, çdo organizatë apo parti politike e kohës i pati të gjitha shanset që në ditën e 29 Nëntorit të vitit 1944 të parakalonte krenar përpara flamurit kombëtar si luftëtar i Lirisë. Por, për fat të keq, një pjesë e “elitës” së kohës që përfshinte bejlerët, agallarët, tregtarët, borgjezët e vegjël e të mëdhenj të qyteteve, nga gjiri i të cilëve historikisht kishin dalë më shumë mercenarë të të huajve se luftëtarë për mëmëdheun, jo vetëm nuk e pranuan Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar të Popullit, por për më keq iu kundërvunë këtij fronti, duke u vënë në shërbim të pushtuesit. Për këtë tradhti të hapur, “Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar”, ky institucion politik e luftarak i popullit shqiptar mbajti doemos edhe qëndrimin që meriton tradhtia. Dënoi në mënyrë shembullore të gjithë ata që nga rreshtat e ushtrive pushtuese dhe me uniformat e armët e këtyre të fundit kishin luftuar kundër luftëtarëve të lirisë dhe masakruar e plaçkitur fshatra të tërë, më keq se edhe vetë pushtuesit nazifashistë.

-Konfiskoi me ligj të veçantë gjithë pasurinë që tregtarët, agallarët apo bajraktarët kishin zhvatur për vite me radhë nga djersa e popullit fukara, ose që e kishin fituar me pa të drejtë gjatë viteve të luftës kur kriza ekonomike ishte në çdo prag shtëpie në qytet e në fshat.

-Anuloi e bëri të pavlefshme të gjitha marrëveshjet ekonomike që qeveritë antipopullore kishin nënshkruar me vende e shtete të huaja në dëm të interesave kombëtare. Ndaloi me ligj kthimin në Shqipëri të Mbretit Zog, si tradhtar dhe grabitës i popullit shqiptar.

-Eliminoi me vendosmëri të gjithë diversantët, të cilët në pamundësi për të ndjekur “si zagari të zonë” pushtuesit në largim, u strukën shpellave e ferrave, prej ku shtinin duke vrarë fshatarë të varfër, vajza e gra aksioniste të rindërtimit të vendit, mësues që kërkonin të hapnin shkollat etj. etj.

Padyshim që 29 Nëntori i vitit 1944, krahasuar me gjithë evenimentet historike të popullit shqiptar, ka qenë e mbetet “data më e ashpër” në “ekzekutimin” e kompetencave të tij. Dhe, pikërisht kjo veçori e dallon atë mbi çdo datë tjetër historike.

Shqiptarët jo njëherë janë ngritur në luftë kundër pushtuesve të panumërt dhe jo pak herë kanë fituar. Kanë fituar betejat, por jo luftën, jo fitoren e plotë.

Lidhja e Prizrenit, për shembull, ishte një eveniment i madh, ku përfshiu gjithë trojet shqiptare. Ajo korri një sërë suksesesh, por në fund u mbyt në gjak, pa arritur të kishte një Shqipëri me trojet e saj etnike. Dhe, kjo ndodhi, jo vetëm prej numrit dhe fuqisë së madhe të të huajve, por edhe prej dredhave e makinacioneve të “elitës” sonë, një pjesë e së cilës, për interesa klanore, apo për “profesion” të injektuar nga pushtuesit, u vu në shërbim të këtyre të fundit. Shpallja e Pavarësisë më 1912 nga Ismail Qemali me patriotët shqiptarë, ishte një ngjarje e madhe. Por, shpresat e shqiptarëve për një “Shqipëri zonjë”, pas rreth një viti u shuan. Dhe kjo, pikërisht prej tradhtisë esadiste me “co”, por edhe prej butësisë diplomatike të Plakut të Vlorës.

Revolucioni i qershorit të vitit 1924 do ta kishte ndryshuar Shqipërinë mesjetare, por për fat të keq ndodhi e kundërta. Dhe kjo ndodhi, sa për shkak të bajraktarit të Matit me emrin e Zogut (jo të Shqiponjës), aq dhe për neglizhencë të Peshkop Nolit, i cili ”Kamxhikun e Krishtit” e mbërtheu pas betejës.
-Komunistët me Enver Hoxhën në krye e njihnin mjaft mirë historinë e popullit të tyre. Ndaj dhe 29 Nëntorin e famshëm nuk e lanë në duart e antishqiptarëve, por ia dhanë në dorë popullit, i cili për të parën herë pas katër shekuj e gjysmë nga koha e Kryetrimit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, do ti kontrollonte vetë fatet e tij. Ishte pikërisht ky “kontroll” që e bëri 29 Nëntorin ditën më të madhe të historisë sonë. Dhe, kjo “pronësi” e popullit mbi 29 Nëntorin vijoi edhe pas datës kalanderike të vitit 1944. Gjatë gjithë periudhës gjysmë shekullore të socializmit, 29 Nëntori ishte jo vetëm “pronë” simbolike e popullit shqiptar, por dhe një pronë e vërtetë, e hipotekuar me vulën e pushtetit popullor. Dhe gjer ditën që rronte shqiptari i madh Enver Hoxha, kjo datë historike do të qëndronte vigjilent në ruajtje të Lirisë dhe Pavarësisë së vërtetë që ajo soll. Është kjo arsyeja që 29 Nëntori i vitit 1944 me LANÇ ishte dhe do të mbetet Epoka më e Lavdishme e Historisë së Shqiptarëve në harkun e dymijë vjetëve.

Historia e shoqërisë njerëzore, krahas arritjeve dhe suksesit, ka njohur edhe regresin. Në 26 vitet e fundit të kësaj demokracie të shpifur borgjeze, vendi ynë ka njohur një regres të jashtëzakonshëm e të paimagjinueshëm. Një regres në të gjitha fushat. Mbi të gjitha një regres në fushën politike, morale, shpirtërore, njerëzore. Në vitin 1939 ndodhi pushtimi fashist i Shqipërisë. Pushtuesit dukeshin sheshit, se përveç armëve, kishin mbi kapele dhe puplat e zeza si të këndesit. Nga ai pushtim na çliroi 29 Nëntori. Por, ja që historia përsëritet. Me dramat dhe tragjeditë e saj. Kjo ndodh sepse njerëzit, duke humbur organizimin dhe drejtimin harrojnë dhe porositë e çmuara të kohërave dhe personaliteteve. A nuk pati thënë çeku Julius Fuçik:

“Njerëz, ju kam dashur, jini vigjilentë”!

Në një linjë me Fuçikun ishte edhe dramaturgu gjerman Bertold Breht, kur duke folur për fashizmin, perifrazoi:

“Barku që i polli, ende s’është shterpëzuar”!

-Këto porosi, ne i harruam!

Dhe jo vetëm këto, por edhe porosinë e madhe të Enver Hoxhës për ta ruajtur Shqipërinë të kuqe, “si idealet partizane e komuniste”, e hodhëm prapa krahëve. Dhe për pasojë ndodhi pushtimi më i fundit. Ky që përjetojmë sot. Ky pushtimi i sotëm, në formë e në pamje ndryshon nga ai i vitit 1939. Se nuk ka armë e mitraloza në duar. As pupla të zeza mbi kapele e helmeta të hirta mbi kokë. Madje mbi xhepin e vogël të xhaketës firmato, ka dhe një shami trekëndëshe shumgjyrëshe. Por, realisht është një pushtim më i tmerrshëm se, ai i viteve të Luftës së Dytë Botërore.

-Një pushtim që ka akaparuar të gjitha asetet fizike e morale të popullit shqiptar, duke i lënë këtij të fundit në dorë vetëm çelësat e kashtës dhe ëndrrën boshe të europianizimit.

Përballë kësaj situate, shqiptarët e vërtetë, që e duan vendin e tyre dhe duan të jenë dalzotës të tij, instinktivisht e çojnë mendjen tek 29 Nëntori. Dhe në vijim të këtij meditimi vijnë të paktën dy pyetje retorike:

A është i nevojshëm një “29 Nëntor” i dytë?

Dhe tjetra: A do të ishte i mundshëm përsëritja e tij?

Të dyja pyetjet, mendoj se kanë një përgjigje të vetme.

Po, është i nevojshëm dhe i mundshëm. Madje, ne komunistët që kemi në begraundin e partisë sonë përvojën e 29 Nëntorit 1944, e themi me bindje se në kushtet e krijuara, “29 nëntori” i dytë është bërë jo vetëm i nevojshëm, por dhe i domosdoshëm. Ai që pretendojmë ne, mund të mos jetë i njëjtë në formë me 29 Nëntorin e vitit 1944. Por nga përmbajtja, nga synimet, nga rezultatet duhet të jetë identik. E mbase, edhe më i avancuar në shumë drejtime.
Është kjo arsyeja që ne komunistët e presim 29 Nëntorin, jo thjeshtë si një ditë të madhe historike, por mbi të gjitha si një mesazh të madh për ta ripërsëritur atë në emër të Lirisë dhe Pavarësisë së vërtetë të popullit dhe Atdheut, që për fat të keq është nxjerrë në ankand. Dhe kështu, mendojmë se duhet ta presin të gjithë shqiptarët 29 Nëntorin e Epopesë së Lavdishme të Luftës Antifashistë Nacionalçlirimtare.

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...