Nga Avni Dehari
(Babai i dy dëshmorëve të atdheut)
U hap lajmi, si rrufe!
Lajm ugur, po për atdhe,
E torturuan, pastaj e vranë
Astrit Deharin, djalë bujar.
Atje n´burg mbyllur me dry.
Korba t´zi ia kanë mësy,
U thanë lulet, e thanë barin
Kur e vranë, Astrit Deharin.
Drini Bardhë, e ndali valërimin,
Prizrenit, ia vranë gëzimin,
Kur u vra, Astriti djalë,
Po ja çojnë, Arbënorit n´varr.
O Astrit, djalë i Arbënisë
Djalë besnik i Dardanisë,
Tanë shoqëria, po lotojnë,
Dhe, familjen ta ngushëllojnë.
T´i ngushëllojnë, babë e nënë,
Ta ngushëllojnë, nusen e re,
Tash Arbënorin, merre ngryk,
Se u flijove, për atdhe.
O Astrit, ti lul` bajraku
Pa Ty hije, më s´ka konaku,
Mundi yt, nuk ka shkua kot,
Hero i vërtetë, për jetë e mot!
8 Nëntor, 2016