Home / Histori / NE JEMI ASTRIT DEHARI

NE JEMI ASTRIT DEHARI

Bildresultat för astrit dehari

 

Nga Elvis HOXHA

Më falni për këtë tekst miqtë e mi aktivistë të Lëvizjes VV. Ndoshta veshëve finë, atyre civilë, do t’u duket patetikë. Por, janë pikërisht këta veshë jopolitikë që janë mësuar ta dëgjojnë cinizmin pa dhimbje.

Kjo duhet të ishte një bisedë e thjeshtë dhe e zakonshme mes nesh. Por, dhimbja juaj në lidhje me Astrit Deharin nuk i linte dot vend një bisede të këtij lloji. Nuk mund të gjeja fjalë aq të denjë sa trishtimi juaj. Kur jam mes jush, në atë lloj miqësie të shumëfishtë, nga arti te politika, nga shkenca te dashuria, besoj se ka kuptim ende të deklarojmë: njerëzimi i ka dëshmitarët e historisë së tij. Sepse, jemi përballë, nga çdo anë e apolitikëve që na thonë se harresa e qenies është rentabël.

Ne si aktivistë jemi aty për t’u thënë se kemi të njëjtët shqetësime që kish dikur Platoni në dhe me Republikën e vet.

Ju e kuptoni miqtë e mi se sa më e fortë e vërteta dhe sa më i dobët gjeopolitikisht territori mbi të cilin shpallet kjo e vërtetë, aq më e madhe beteja. Por, ç’momente të fuqishëm emancipimi kanë qenë këto prerje mes forcës së të vërtetës, dobësisë së interesave dhe vullnetit për të ekzistuar. Ka shembuj plot në histori për t’u dëshmuar. Kështu miqtë e mi aktivistë, ju jeni e vetmja shpresë se ka jetë dhe dinjitet ende në trojet shqiptare.

Ne, jemi shpallësit se sot proletarë janë kombet e kolonizuar.

Ç’është një komb i kolonizuar sot: thjesht rezultati i një teknokracie ndërkombëtare që nuk ka si të jetojë më veçse duke e degdisur teorinë e demokracisë në përrallën që nuk josh më. Kështu që,  nuk duhet të presim që dikush prej qytetarëve të lodhur të Evropës së plakur nga teknokratët e rinj të thotë: “Je suis Astrit!”

Miqtë e mi. Ne, nuk jetojmë në luks dhe nuk kërkojmë luks tjetër veç atij të ndjeshmërisë.

NE,  nuk na duhet luksi për të harruar vakuumet e dinjitetit dhe monotoninë e ditëve.

NE,  nuk na duhet luksi për t’u pajisur me një vështrim cinik mbi fatin e të tjerëve.

NE,  jemi fati i të tjerëve. Dhe, nuk kemi pse të jemi modestë në këtë pikë.

Luksi ynë është të ndjejmë të gjitha shijet e holla dhe krizat e ashpra që ka kaluar qenia jonë prej njeriu para nesh. Luksi ynë është vetëdija.

Nuk kam ngurruar kurrë ta them se lotët që i kemi shkaktuar ne Kosovës me gazin që është hedhur po mbi ne është besimi më i madh se ka ende një çarje, një hendek nga ku drita mund të gjejë udhë. Për ne kusht nuk është jeta, por jeta prej njeriu.

Ne,  nuk dimë ta shmangim vdekjen e tjetrit, por ta tejkalojmë atë.

Ne,  dimë të jemi Astriti në të ardhmen e vet.

Vetë unë e kisha ëndërruar Astritin si një mjeshtër në profesionin e mjekësisë, shtuar këtu pjesëmarrjen politike që do ta kthente në shërbyes të paepur të bashkëqytetarëve të vet. Pikërisht në mbledhjen e Këshillit, kur Xhelali po e propozonte në një detyrë të re, Arben Vitia dhe unë nuk votuam për Astritin sepse mendonim nuk e di sa detyra të tjera që ai ishte i aftë t’i kryente. Sepse, ky është aktivisti i Lëvizjes, një njeri që synon të jetë integral dhe integritet. Ai, ka moral dhe aftësi rezervë dhjetëfish më të madhe se çka i duhet për të jetuar thjesht.

Mes nesh pashë se si u tronditën aktivistë e rinj – nga mosha – pas ngjarjes. E kuptova se ata kanë ëndrra më të bukura se ne aktivistët e tjerë. Por besnikëria është plotësi i ëndrrës, negativi i saj.

-E kemi diskutuar në një nga bisedat mbi filozofinë politike të vullnetit.

Besnikëria,  të bën ta mbash ëndrrën gjallë edhe pse besnikëria luhet në territore të zhgjëndrrës.

Ashtu si udha për tek e vërteta,  kalon përmes andrallash.

Ndaj ne kemi temën e guximit dhe jo atë të heroizmit.

NE,  e kemi thënë: ne nuk jemi trima, por ne nuk kemi frikë. Sepse ne nuk jemi vetëm, por ne jemi bashkë.

Përreth nesh edukohet kudo mosbesimi te bashkësia dhe e ardhmja njerëzore.

Te Ne edukohet besimi se njeriut i duhet të shohë njerëz të denjë për t’u bërë i tillë. Përndryshe,  njeriu falsifikon ndonjë ndjenjë lumturie private dhe fluturake që në çastin e parë të dështimit kthehet në tradhti të tjetrit.

NE nuk jemi vetëm, ne jemi të tërë intimitete publike. Këto janë hallkat tona dialektike të ekzistencës. Ashtu si Astriti që e mendoja në shumë detyra, pikërisht sepse ishte një integruam ekzistencash.

Lufta e paqes është shumë me e rëndë se lufta e luftës.

Në paqe njeriu e ka shumë të vështirë raportin me jetën, me veten dhe me tjetrin.

Në luftë, lufta mendon për njeriun.

Në paqe, njeriu duhet të zgjedhë: ose të mendojë për veten, ose të mendojë veten.

Në luftë tjetri është ti, në paqe duhet të dish të jesh tjetri.

Vetëm kështu paçet janë të gjata. Paqja nuk është e kundërta e luftës, ajo është diferencë, është e dallueshme, është tjetër.

Paqja është lufta jonë. Por, paqja e vërtetë dhe jo harrimi i dinjitetit për sigurinë.

Paqja jonë është liria për të menduar tjetrin. Sepse, ne e dimë mirë, ndryshe nga mendësia që na rrethon, se të mendosh për veten do të thotë të ushtrohesh të gjesh se je tashmë tjetri. Ndaj lotët për Astritin i kuptoj shumë mirë.

Ishte ndërprerë një nga liritë tona.

Astriti,  ishte një nga liritë tona, një nga mundësitë tona për të qenë më të mirë.

NE,  i duam të gjithë të mirët e kësaj shoqërie dhe mbrojmë të gjithë të drejtët e saj.

Kështu që,  ne jemi Astriti të tërë, do të përkryejmë të ardhmen e tij.

Ne kemi dëshmorët tanë. Ata janë e ardhmja jonë.

Rroftë Astrit Dehari!

8,  Nëntor, 2016

 

 

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...