Home / Histori / President Nishani, një kolaboracionist i vonuar!

President Nishani, një kolaboracionist i vonuar!

Nga Gjon BRUÇI

President Nishani, një kolaboracionist i vonuar!

Poeti i penës e i pushkës dhe luftëtari për Lirinë e Atdheut, Shefqet Musaraj, në poemën e tij të famshme “Epopeja” e Ballit Kombëtar”, duke na treguar për bëmat e ballistëve të kohës së Luftës, midis të tjerave do të satirizonte: “Do bëjmë luftë / do tundim malet /. . . dhe fshati qeshet / dhe bota tallet”.

Ai, i njohu drejtpërsëdrejti ballistët, të cilët të veshur me uniformën e pushtuesit nazist gjerman, nakatosur me zhgabën e zezë në ballë të qylafit dhe të armatosur me pushkët që u kishte lënë italiani, shkonin përpara reparteve gjermane, siç shkon zagari përpara gjuetarit, duke u bërë mish për top në luftën kundër luftëtarëve të lirisë, partizanëve trima të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare.

Vargu i poetit luftëtar, “Dhe fshati qeshet, dhe bota tallet”, ishte një konstatim real i bëmave të ballistëve, me të cilat talleshin jo vetëm partizanët por i gjithë populli, me përjashtim të pulave, koteci i të cilave ishte fushëbeteja e vërtetë e ballistëve.
Por, ne sot, pas 72 viteve nga ajo kohë, nuk kemi pikë dëshire, as të qeshim,  as të tallemi me ato bëma, të cilat ishin dhe mbeten një turp i bastardëve të racës sonë shqiptare. Aq më pak kemi dëshirë të qeshim e të tallemi me përpjekjet e pinjollëve të ballistëve të djeshëm për të nxjerrë kufomat e baballarëve të tyre, kufomat e të cilëve, siç pati thënë Noli i madh: “U bashkuan me ato të pushtuesit, prej të cilëve as nuk mund të ndriten, e as nuk mund të shqiten”.
Nuk mund të qeshim e as të tallemi, sepse përpjekja donkishoteske e neo-ballistëve, prej dy dekadave e gjysmë nuk është më vetëm një parodi satirike dhe aq. Përpjekjet e tyre janë kthyer në një aventurë të rrezikshme, e cila kërkon të përdhosë gjer në fund jo vetëm Luftën e Lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, por krejt historinë e re të popullit shqiptar. Ashtu, si Don Kishoti dje, edhe neo-ballistët sot kërkojnë të kthejnë rrotën e historisë mbrapsht. Domethënë, ta kthejnë vendin tonë në lëmin e akuzave të anti-shqiptarëve, të cilët jo njëherë na kanë akuzuar si bashkëpunëtorë të pushtuesit e madje edhe duke na quajtur “shpallës të luftës agresore”, siç pretendon fqinji i jugut, i cili vijon prej shtatë dekadash të konservojë ligjin abstrakt të luftës me vendin tonë.
Aventura qesharake e donkishoteske e një grushti neo-ballistësh të firasur nga mendja dhe ndërgjegjja, mund të përcillej lehtësisht me një inskenim grotesk të poemës së shkrimtarit, Shefqet Musaraj, por kur këtij vodëvili qesharak i bëhet regjisor Kryetari i shtetit, atëherë çështja bëhet tepër serioze dhe e rrezikshme.

-Dikush në prononcimet për këtë çështje shprehet se, Presidenti në dekorimin më të fundit të ballistëve, paska gabuar dhe me ligjërata të matura mundohet të vërë në dukje faktet historike të lëçitur, jo njëherë gjatë këtyre viteve të të ashtuquajturës “demokraci” për këtë çështje tashmë të shteruar gjer në detaje.
Presidenti Nishani, nuk ka gabuar aspak. Ai, e din fort mirë historinë e LANÇ. Sepse, këtë histori e njohin gjithë shqiptarët, e kanë njohur dhe e njohin edhe aleatët e mëdhenj të fitores së Luftës së Dytë Botërore.

Pra, nuk është as “lapsus” i presidentit, as manipulim i tij prej këshilltarëve apo “dokumenteve të reja”, por është një gjë më serioze. President , Nishani është bërë ballist, ose më saktë kolaboracionist.

-Dhe, kur kryetari i shtetit dhe presidenti i Republikës bëhet ballist-kolaboracionist, atëherë edhe Republika shkon pas “bojës” së Kryetarit të saj, e për pasojë vendi ynë duhet tu paguajë reparacione lufte fqinjëve dhe popujve të tjerë që luftuan kundër pushtuesit.
-Dikush mund të thotë se President Nishani, është mashë e shefit të tij me emrin Sali, i cili e vuri dhe e mban në atë post. Kjo është e vërtetë, sepse rehabilitimi i ballistëve u nis po nga ky shef kur ishte në pushtet. Dhe, “zanatin” e tij kontrovers e ka përcjellë doemos tek vartësi i tij, Nishani, qysh se ky i fundit militonte në partinë e të parit si ushtar i devotshëm i demokrazisë saliniane. Por, tani Nishani ynë,  është në karrigen e presidentit dhe ka në dorë vulën e kryetarit të shtetit. Kjo vulë nuk mund të përdoret për të ligjëruar turpet që na turpërojnë, dhe për më tepër na ngatërron duke futur farën e përçarjes midis shqiptarëve, një nga metodat më të përdorshme nga ana e armiqve të Shqipërisë.
Ballkani ynë, vërtet sot është në paqe dhe pa fërkime e konfrontime. Por, jo pa prapamendime e pa synime. Prej më se një shekull e gjer më sot, “Neçertanja” dhe “Megalidhea” e fqinjëve tanë nga veriu e nga jugu nuk e kanë ndaluar strategjinë e “takimit” në Shkumbin. Qeveritë e këtyre vendeve, ndonëse jo hapur, me të gjitha mjetet i kanë ushqyer dhe i ushqejnë këto dy “doktrina”, si rezerva për ditët e favorshme që mund të paraqiten. Për realizimin e tyre në perspektivë, ata kanë përdorur dhe vijojnë të përdorin parullën e “përçarjes” midis radhëve tona.

Kanë provuar përçarjen jugë-veri, apo “gegë e toskë”, por nuk ju ka ndezur. Kanë provuar përçarjen midis besimeve fetare, por përsëri nuk kanë pasur sukses.

-Tani, po përdorin përçarjen politike, duke shfrytëzuar, pse jo dhe nxitur krijimin e sa më shumë partive. Por, me që këto të fundit kontrollohen nga institucionet ndërkombëtare, ata po provojnë edhe përçarjen në gjirin e shqiptarëve të thjeshtë, duke ju nakatosur varret e heronjve me ato të tradhtarëve, një veprim shumë i ndjeshëm për çdo shqiptar të vërtetë, i cili e di fort mirë nga përvoja historike se çfarë i ka sjellë tradhtia.
Unë mendoj se, President Nishani nuk ka “gabuar” në dekorimin e ballistëve, shërbëtorëve të pushtuesit. Përkundrazi, ai me ndërgjegje është vënë në shërbim të të huajve për të përçarë shqiptarët, duke i goditur ata në shenjtërinë e tyre patriotike dhe atdhetare.

-Asnjë parti politike, nuk ka moral të rreshtohet në krahun e ballistëve e të zogistëve dhe as t’i tolerojë ata, sepse vepra e tyre nxin nga fillimi gjer në fund.

Ndaj dhe “ledhatimi” , që u kanë bërë e u bëjnë partitë politike borgjeze, PD, PS, LSI e shtojcat e tyre kësaj skote të diskretituar tashmë, për hir të “demokracisë”, apo për interesa votash, nuk është hiç më pak se tradhti ndaj interesave të Atdheut.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, vërtet u organizua dhe u udhëhoq me fitore të plotë nga Komunistët dhe Partia Komuniste, por kjo pjesë e lavdishme e historisë nuk është pronë e komunistëve, por pronë e popullit shqiptar.

-Me këtë pronë morale nuk mund të luhet,-siç po luhet me pronën fizike. Ndaj, unë si komunist dhe si shqiptar që krenohem dhe e nderoj historinë e popullit tim si asetin tonë më të çmuar, ripërsëris akuzën ndaj Presidentit të Republikës me emër të përveçëm Bujar Nishani, duke i bërë  ftesë të anulojë atë dekret të ndyrë që nakatos të vërtetën me gënjeshtrën, të bardhën me të zezën, shqiptaren me antishqiptaren. Akuza ime dhe e çdo shqiptari të vërtetë u drejtohet edhe partive borgjeze dhe liderëve të tyre që janë alternuar në pushtet, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë toleruar e madje marrë pjesë në këtë tollovi përçarëse të shqiptarëve, ku edhe pas shtatë dekadash i serviren për simbol aktet që historia tashmë i ka vulosur në arkën e turpit.
Disa prej partive politike borgjeze që janë alternuar dhe alternohen në pushtet, me një pjesë të politikanëve e liderëve të tyre, ka kohë që kanë rënë në prehrin e korrupsionit dhe të degjenerimit moral. Por degjenerimin moral një hap e ndan nga degjenerimi politik dhe ky i fundit të çon në tradhti të drejtpërdrejtë të interesave të Atdheut.

Partitë e Ballit (të “Kombit”), që gjatë luftës me të drejtë u quajtën “të bishtit”, moralisht kanë dalë jashtë ligjit qysh në vitet e luftës për tradhtinë e tyre ndaj kombit dhe nëse ekzistojnë sot si fantazma, kjo ndodh falë “lojërave” politike të PD, PS, LSI dhe bishtave të tyre. Nga këto “lojëra” ka rrezik që edhe këto parti që kapardisen në pushtet, shumë shpejt të marrin ngjyrat e ballistëve dhe të rreshtohen në vathin e tyre. Në ndodhtë kjo, atëherë “loja” e tyre do të ketë mbaruar.

 

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...