Home / Histori / Mohimi i vlerave të Enver Hoxhës rrezikon mohimin e vetvetes dhe të kombit

Mohimi i vlerave të Enver Hoxhës rrezikon mohimin e vetvetes dhe të kombit

Nga  Sylejman Krasniqi

Reagim ndaj shkrimit të Behxhet Sh.Shala-Bajgora “Pse Edi Rama nuk mund të flasë për dhe në emër të Kosovës” të botuar  në “Epokën e R.e” të dates 19.tetor  2016

Para shkuarjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd për të marrë pjesë në  Forumin e Sigurisë  u bë hallakamë e vërtetënë shtypin e Kosovës, por edhe nëpër rrjete sociale. U hodhën në tregun gazetaresk opinione të ndryshme mbi vizitën e kryeministrit shqiptar. Pati parashikime të lloj-llojshme për këtë shkuarje të Edi Ramës në Sërbi. Bujë të madhe shkaktoi  pjesëmarrja e kryeministrit të Shqipërisë  Edi Rama në Forumin e Sigurisë  në Beograd dhe Nish  dhe disa deklarata të tij në konferenca të shtypit dhe në dialog me kryeministrin e Sërbisë  Aleksandër  Vuçiq  të organizuar  nga moderatori  dhe gazetari  i njohur anglez  Misha Glen. Për këtë vizitë të Edi Ramës  në Sërbi pati shumë komente dhe vlerësime. Kryesisht vlerësimet dhe komentet ishin në dy kahje kryesore. Disa e përkrahën  pjesëmarrjen e Edi Ramës në atë Forum  kurse të tjerët e shikuan me dyshim shkuarjen e tij në Beograd. Pati edhe të atillë që, para se të shkonte Edi Rama në Beograd, e “këshilluan” që atje të mos shkonte fare sepse do të ishte e dëmshme dhe kundërproduktive për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi. Edhe motivet e “këshillave “ drejtuar Edi Ramës ishin të ndryshme…Mirëpo “ kokëfortësia “ e kyeministrit shqiptar e bëri të veten. Kryeminstri shqiptar shkoi në Beograd. E kreu misionin për të cilin kishte shkua dhe u kthye në mëmëdhe. Tani filluan  reagimet dhe analizat për atë vizitë dhe për paraqitjet e kryminstrit Rama para gazetarëve bashkë me Vuçiqin.

Rrëmujë të madhe bëri deklarata e ministrit të jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj ( i cili përpara e mbante mbiemërin Hoxha e tani u shartua në Hoxhaj !?)  për “përzierjen” e kryeministrit shqiptar në punët e brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës. Rrebesh   i  vërtetë u shkaktua pas fjalëve të ministrit sepse ato, me të drejtë, mirreshin edhe si qëndrim  i qeverisë së Kosovës dhe i kryetarit të shtetit në raport me qëndrimet e qeverisë së Shqipërisë ndaj Kosovës, aq sa reagimet tjera u dukën shumë të cekta,  dhe të pavlera. Për fatin tonë të mirë, reagimet, komentet dhe analizat që erdhën nga Shqipëria ishin shumë të pjekura dhe tepër dashamirëse në raport me kundërshtitë nga Kosova. Më bëri përshtypje shumë të mirë vlerëmi i komisionit për punë të jashtme i Kuvendit të Shqipërisë për paraqitjen e kryeministrit  Edi Rama në Beograd. Vlerësim ky i cili ( për çudi) ishte i njëzëshëm nga anëtarët e komisionit të pozitës dhe opozitës.

Një shkrim me vlerë dhe, padyshim, qëllimmirë ishte edhe ai me titull “ Pse Edi Rama nuk mund të flasë për dhe në emër të Kosovës” nga Behxhet Sh. Shala- Bajgora e botuar në të përditëshmen “Epoka e Re” më 19.tetor 2016. Shije të keqe më la ky shkrim nga se autor i kishte futur në një thes të gjithë qeveritarët  të cilët e kanë udhëhequr Shqipërinë që nga pavarësia e sajë. Ai shkruan: “ Tre udhëheqësit, që më së shumti e dëmtuan çështjen kombëtare e që e sunduan Shqipërinë afërsisht  80%  të kohës, që nga shpallja e Pavarësisë, Ahmet Zogu, Enver Hoxha  dhe Sali Berisha dështuan pikërisht sepse e mohuan rolin e Piemontit të Shqipërisë dhe paternalizmin ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë e që dhunoheshin deri në zhdukje.”  Dhe pikërisht në këtë pikë e ka huqë autori. Në shumë pika dhe veprime të tjera mund të kenë,  këta të tre burrështetas,  veprime të njejta ose të ngjajshme. Por kjo pikë, pra  Piemontizmi  dhe paternalizmi,  është vija ndarëse në mes të këtyre të treve. Enver Hoxha i Gjirokastrës ( apo hoxha i Gjirokastrës, si ka dëshirë ta thrras me ironizëm Bexhet Sh. Shala) është i vetmi kryetar shteti, kryeministër dhe kryetar partia i cili nuk mund dhe nuk guxon të akuzohet për moskujdesje ndaj pjesës së popullit shqiptar të mbetur, padrejtësisht, jashtë Shqipërisë londineze. Më poshtë po i përkujtoi  vetëm  disa raste me të cilat vërtetohet se këta të tre nuk ngjajnë me njeri-tjetrin në këtë pikë  mjaft të ndijshme:

Nuk kam nevojë që t’ia përkujtoj ( sepse jam i sigurt se e din Behxhet Sh. Shala-Bajgora) se ishte i Enver Hoxha ai që ia kërkoi  Titos Kosovën duke i thënë se Kosova i takon Shqipërisë dhe se është tokë shqiptare. Kjo ndodhi menjëherë pas Luftë së Dytë Botërore e kur Enver Hoxha e vizitoi Beogradin për herë të parë dhe të fundit. Por kur e hetoi se ishte tradhëtuar nga Tito, ate e luftoi tërë jetën. A ua kanë përmend  ndonjëherë jugosllavëve ose sërbëve problemin e Kosovës  Ahmet Zogu apo Sali Berisha? Unë nuk e di. Ti nëse e din, të lutem shumë, tregona.

Enver Hoxha është i vetmi burrështetas në tërë Europën që nuk e ka nënshkrua Kartën e Helsinkit për mosndryshimin e kufijve në Europë. A  thua pse e bëri këtë? Nuk e bëri për Debëlldenë, as për Demarkacionin me Malin e Zi, por as për Asociacionin e komunave sërbe por për diçka  edhe shumë më të madhe se këto të tria së bashku. Këtij veprimi a i thonë Piemontizëm dhe paternalizëm? Ose mos ishte ky ndonjë gjest human ndaj Melkizedekut?! Cili nga shtetarët dhe veprimtarët tanë kanë hedhur kësi hapi për të lënë derën hapur për veprimet tona në të ardhmën? Do të ishte mëkat i pafalshëm po mos ta përmendja edhe vendimin dhe veprimin historik të bacës tonë, Adem Demaçit, për të mos shkuar në Rambuje dhe mospranimin e Vendimeve të Konferencës Ndërkombëtare  për Kosovën të nënshkruar në Paris.

Nëse të kujtohet tërmeti që e goditi Shkodrën, Ulqinin dhe disa qytete shqiptare në pranverën e vitit 1979 me ç’rast pati dëmtime të mëdha të këtyre qyteteve. Udhëheqja jugosllave dhe ajo malazeze, atëherë, propagandonin me të madhe se Ulqini qenka zonë aktive seizmologjike dhe se priten edhe seri të tjera tërmetesh në ditët dhe muajt në vazhdim. Kjo kishte prapavi politike dhe caku i fundit ishte frikësimi i popullatës shqiptare dhe nxitja e tyre për shpërngulje masive. Ishte pikërisht Enver Hoxha  i cili u bëri thirrje, nga Tirana, shqiptarëve të Ulqinit me rrethinë që të mos e lëshojnë vendin e tyre sepse kjo ishte propagandë qëllimkeqe  jugosllave dhe se Ulqini nuk ishte zonë aktive seizmike. A kemi ndonjë rast të ngjajshëm me këtë që do ta ketë ngritë zërin ndonjë pushtetar i yni? Ky veprim i Enver Hoxhës a nuk mund të cilësohet si paternalizëm?

Në pranverën e vitit 1981 ndodhën demonstratat e fuqishme studentore, dhe më vonë gjithëpopullore, në të gjitha qytetet e Kosovës. Nga të gjitha anët u sulmuan demonstruesit, por edhe populli shqiptar në ish-Jugosllavi. Edhe udhëheqja e Kosovës nuk mbeti mbrapa së sulmuari pjesën më të shëndetshme shqiptare të Kosovës dhe trojeve të tjera në Jugosllavi, sepse të gjithë u ngritën në këmbë për mbrojtjen e qenjes së tyre e cila, tashmë haptazi, rrezikohej me zhdukje. Ishte pikërisht Enver Hoxha, “Zëri i popullit” dhe “Radio Tirana” që i dolën në ndihmë popullit shqiptar në ish-Jugosllavi me përkrahjen e parezervë të kërkesave të tyre  legjitime. Nga ky moment popullit shqiptar iu hap një dritare dhe iu ndriçua rruga e vështirë, por pa kthim, drejt lirisë së shumëpritur… Demonstruesit kishin nevojë për përkrahje morale sepse vetë kishin energji të mjaftueshme për përballje me armikun shekullor. Më  2 nëntor të vitit 1982, në tubimin parazgjedhor për Kuvendin Popullor, Enver Hoxha u tha qartë dhe prerë, shovenistëve jugosllav, se populli shqiptar, i cili jeton vetëm në trojet e veta, është i zoti të mbrojë veten e vet duke ua pëkujtua atyre se nuk do të kenë punë me 3 milion shqiptar por me 6 milion. Kësaj a i vije era sadopak paternalizëm? Këtu po i ndërpej paternalizmat dhe Piemontizmin e Enver Hoxha ( gjithnjë sipas meje) me qëllimin që mos te lodhi lexuesin e nderuar.

Vlenë të ceket se të gjithë analistët e huaj, burrështetasit, oficerët e misioneve anglo-amerikane,  të cilët gjatë LDB-re ishin pranë  Shtabit të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Shqipërisë, e vlerësojnë Enver Hoxhën si nacionalist-komunist. Nëse të kujtohet intervista e bacës Adem Demaçi dhënë Radio Zagrebit disa javë apo muaj para se të lirohet  nga burgu i cili kur flet për Enver Hoxhën thotë se ai ( pra Enver Hoxha ) nuk e ka bërë asnjë gabim strategjik në dëmë  të çështjes kombëtare. Bac se çështje Adem kishte parasysh se çështje kombëtare nuk është vetëm Shqipëria londineze por edhe interesi I të shqiptare në trojet e veta. Në kohën e Enver Hoxhës nuk pati Vërmosh, nuk pati Shën Naum dhe nuk u prek as vija detare e Shqipërisë nga ana greke. Dhe fare  në fund të gjitha këtyre pak rasteve që i përmenda besoj se u vije sado pak erë Piemontizmi dhe paternalizmi. Me këto pak rreshta nuk pata qëllimin që t’i dal në mbrojtje figurës së Enver Hoxhës por desha që ta largoja nga  lista e përbashkët në të cilën e futi pa të drejt Behxhet Sh. Shala- Bajgora.

Shpesh i kam dëgjua juristët duke thënë se “ nuk është mëkat i madh nëse e rehabiliton një njeri që e ka bërë një krim sado të rëndë, por është mëkat shumë i madh nëse e akuzon njeriun i cili nuk ka të bëjë fare me atë veprim”. Prandaj është mire që të peshohet fjala para se të shkruhet. E nëse ky barazim ( mes këyre tre personalitetve) është bërë me vetëdije atëherë mua më mbetet vetëm të distanohem nga ky vlerësim.

26.10.2016 Prishtinë                              Sylejman Krasniqi tel: 044-169-049

 

 

About admin

x

Check Also

Si i manipuluan grekët dokumentet e Venedikut për Shqipërinë

July 31, 2019 Që Çamëria e Himara ishin shqiptarë në mesjetë, historiani ...