Home / Lajme / NJË SHQIPONJË QË MBAJË NË ZEMËR…

NJË SHQIPONJË QË MBAJË NË ZEMËR…

ig

Shkruan: Sotir  Kosta

 NJË SHQIPONJË QË MBAJË NË ZEMËR…

Shqipëri, moj nënë e madhe,

 këndo këngë  e harro halle,

 Si flori të rrjedh nga zemra,

 aty loti , aty kënga…

Njëmijë këngë do këndoja,

sa të isha,  sa të rroja,

fare pak,  do qen për ty,

nëna ime, Shqipëri..

 

Shqipëri,  që s`tu mbyll syri,

e vogël, por si floriri,

e vogël,-por nënë e madhe,

 këndo këngë e harro halle..

 

Që kur lindi historia,

këtu ishte Shqipëria,

që të gjithë, i vunë synë,

që t´i vidhnin bukurinë !…

 

Ma do zemra, ma thotë goja,

Shqipëri, kështu të doja,

një  Shqiponjë , që mbaj në zemër,

 Shqipja, që na dha dhe emër…


VDEKSHA NË MUAJIN E PRILLIT


Kur çel burbuqe dafina,
kur s`pushon zëri i bilbilit
dhe qengjat me blegërima.


Dhe pllajat me lule dele
në mëngjes u fryn veriu,
dhe thëllëzat nëpër gjerdhe
lagur nga një vesë shiu.


Si të tjerët edhe unë
s`jam vetëm që vdes i pari,
rrezet e diellit të ngrohtë
të më japin ngjyrë ari.


Të më përcjellin me lule
borzilokë e menekshe,
dhe me këngët që këndova
sa isha i gjallë mbi dhe..

 

O ju bletë punëtore
që gumëzhini te zgjoi,
i merrni këngët e mia
dhe i bëni mjaltë hoi.

 

Dhe, unë kam qenë si juve
dhe kam jetuar mbi tokë,
që kam qesh e që kam qarë
dhe kam dashur miq e shokë..

 

Kur mbi pllaka hidhet dheu
varri bëhet shume i rëndë,
po më thanë shokët ngrehu
do të kthehem prapë në këngë.

I veshur me rroba labe
plot me dëshirë e me gas,
do takoj miqtë që pata,
dhe të dashurën që lash pas…


UNË KËSHTU E DUA BURRIN…

S`më duhen faqet e bardha
edhe sytë bojë hiri,
thahen si lule të bardha
menjëherë sa mbaron Prilli.

 

Dua rrënjën edhe trurin
dua nderin edhe jetën,
unë kështu e dua burrin
nuk kam sevda as kuletën.

 

S`dua të merret me femra
s`dua zinxhir floriri,
po të më ngrohë te zemra
ta kem besnik te gjiri.

 

Nuk dua fustan me lule
s`dua kostum allafrënga,
s`e dua për mish e tule
dua buzë nga buron kënga.

 

S`më duhet daullexhi
as ti bjerë gërnetës shumë,
po me sjellje si njeri
dhe të ketë zemrën si unë.

 

Dua të kemi një zemër
dua të kemi një besë,
bashkë në gjumë edhe në ëndërr,
bashkë në varr dhe kur të vdesë…

E SHKRETA PLEQËRI

Kam qenë djalë flori
Djalë,o djalë,me të vërtetë,
bëja humor e xhudhi,
e ngjisja malin përpjetë.


Vishesha si asnjë njeri
dhe punoja sa tre vetë,
me grada dhe me stoli
edhe trim si bilbilenjtë.

 

Këndoja ngrija dolli
më vinin miqtë si bletë,
të gjithë më kishin zili,
më ftonin për darkë e drekë.

 

Po e shkreta pleqëri
erdhi avash,lehtë-lehtë.
Nuk më shikojnë me sy,
disa thonë: Pse s`ka vdekë ?

 

Do të plaken e do të kërrusen
Ministra e Gjeneralë,
dhe pa pritur vjen një ditë,
s`të do as nusja me djalë..

 

Vetë jeta është ëndërr
qesh e qaj edhe asgjë,
Më në fund merr dy dërrasa
shkon atje ku s`kthehesh më…..

VAJZA E MASHTRUAR…

Zgjodha një djalë të bukur
kishte dhe makinë Toyota,
kur filluam me t`u puthur
mu duk se ish e imja bota.

 

Mbushur duart me zinxhirë
qafa veshur me stoli,
gishtërinjtë plot me myhyrë,
shkëlqenin safi flori.

 

Më jepte darka e dreka
shëtisnim dhe buzë detit,
thosha – lumturinë e gjeta,
M`u duk vetja bijë e mbretit..

 

Ajo dashuri e shkretë
na fali një kolopuçe,
po qe do që djali i bukur
na u largua hajdutçe.

 

Po tani, si t`ia bëj,
me një fëmijë të vogël ?
djemtë i mashtrojnë vajzat
po jeta, nuk është lodër.

 

O ju vajza moshatare,
të mos pendohi një ditë,
Mos u gënjeni nga makinat,
as nga zinxhirët e florinjtë..

XHELOZIA E NJË FEMRE…

Xhelozia e një femre
si egërsi e çakallit,
ajo bëhet plagë zemre
të nxjerr dhe djersën e ballit..

 

Sa fustane ke parë sot ?
terë ditën duke bredhur,
Ti nuk paske mënd në kokë
more burri bisht përdredhur..

 

Kush është ajo që i fole ?
atë nuk e njoh as unë,
ndaj më del i pispillosur
dhe më thua se kam punë..

 

Ti dhe kur del me mua
i bën sytë si mace hiri,
harron se më ke për grua,
po s`më shpëton gjë nga syri..

 

Më ke lënë edhe mustaqe
që të dukesh namuzli,
po ti s`paske cipë në faqe,
nuk të dija kaq qefili..

 

Unë do qaj e do bërtas
sikur do të fut në dhe,
ta marrë vesh edhe mëhalla,
të të njohin se kush je….

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...