Ua prezantoj hartat e gjetura në Zvicër, ku Çakorri e Zhlebi janë me Kosovën

Shkruan: Ali K. Kelmendi Letër e hapur liderëve politikë dhe deputetëve të Kuvendit Juve liderë, qeveritarë, deputetë dhe, të gjithë ata që e mbështesin demarkacionin e Murat Mehës, kryetar Komisioni, nuk do t’ua falë kurrë historia. Mos bëni analogji dhe mos e krahasoni veten me Ali Pashë Maxharin, që me çdo kusht tentoi t’ua dorëzojë malazezëve tokat tona, por më në fund ai e la kokën në Kosovën martire. Ua prezantoj hartat e siguruara nga Biblioteka Universitare e Bernit për Evropën Juglindore. “CAKOR – planina izmedju SR CRNE GORE i SAP KOSOVA, visina 2048m…” ÇAKORRI – bjeshkë në mes të MALIT të ZI dhe KSA KOSOVËS, lartësia 2048m… (E shkruar në: “Enciklopedija Jugoslavije”, Botimi 2, Libri 3, faqe 185, Zagreb. Viti 1984) Nga kjo se çka shkruan për Çakorrin edhe këndohej: “Od ?akora sve do mora, to je zemlja Crna Gora” ( Prej Çakorri gjer në det është tokë malazeze). Unë. Nuk e gjeta personalisht Majën e Çakorrit aty në mes të kufirit të Mali të Zi dhe të Kosovës, por ajo gjendet aty ku shkruan Enciklopedia Jugosllave, kur është përcaktuar me kohë kufiri ndërshtetëror, dikur në mes të Malit të Zi dhe Serbisë. Unë i gjeta vetëm hartat origjinale dhe valide me pikat e tjera që e përçojnë qartë kufirin e vërtetë, duke u nisur nga kufiri i majtë me Çakorrin e që është Maja Starac 2426m – mu në kufi mes Malit të Zi dhe Kosovës, më pastaj Maja e Çakorrit 1849 m. Bjelluha është shumë poshtë nën Çakorr në anën e majtë rrugës Kuqishtë- Morinë, e në anën e djathtë të rrugës është Maja Pllaninica 2077m, Mandej në kufi janë: Maja e Usovaqës 1932; Maja e Dromodolit 2119m; Maja e Pasbjeshkës së Hajlës 2400m; Maja e Shtedimit 2272m e duke kaluar nëpër bjeshkën e Dubovikut dhe të Husajve e duke e lënë Zhlebin 1501m thellë brenda territorit të Kosovës e gjer në kufi me Malin e Zi. ( Shih hartat: CRNA GORA e datës 1956; e Pejës- PE? e vitit 1965 dhe CRNA GORA e vitit 1982). Sipas këtyre hartave të theksuara më lart, shihet qartë se kufiri është përcaktuar sipas rregullave ndërkombëtare për shënimin e kufirit, përmes Majave të bjeshkëve, njëjtë siç kanë theksuar ekspertët e pavarur: Prof. Dr. Zejnullah Gruda dhe Prof. Dr. Shpejtim Bulliqi e ekspertë të tjerë. Ashtu kanë pohuar dhe kanë këmbëngulur edhe rugovasit etnikë që jetojnë denbabaden, në mezhdë me kufijtë e vet dhe se e dinin shumë mirë së ku gjendet kufiri i tyre. Rugovasi s’e ka mbajtur së koti shallin e bardhë rreth kreje E, sot në shekullin XXI, 17 vjet pas Luftës dhe Pavarësisë së Kosovës, për herë të parë në historinë tonë shekullore u formua një Komision shtetëror shqiptar për përcaktimin e kufirit me fqinjin, Malin e Zi. Për këtë Komision po flitet e përflitet zi e më zi nga ekspertë dhe vetë populli. Ky Komision në krye me Murat Mehën fare nuk u thellua në kërkim të dokumentacioneve me harta e dokumente të nevojshme – por dështoi totalisht në përcaktimin e Demarkacionit. Pra, këtë Demarkacion me këmbëngulje po e kundërshtojnë së pari rugovasit vendas me pjesën dërmuese të popullit, e tërë opozita dhe një pjesë e deputetëve e cila është në rritje e sipër. Nga ana tjetër, si Murat Meha, kryetar, i cili e ka mbështetjen e fuqishme nga Presidenca në krye me Hashim Thaçin-kryetar shteti dhe nënshkrues të Marrëveshjes për Demarkacion në Vjenë, kur ishte ministër i Punëve të Jashtme, pa e ratifikuar fare në Kuvendin e Kosovës, ( çka e kishte edhe obligim ligjor sipas Kushtetutës së vendit) dhe, Qeverisë në krye me Isa Mustafën, kryeministër, të cilët së bashku e me kokëfortësi të paparë këmbëngulin dhe deklarojnë pa fije turpi se Kosova nuk humb asnjë milimetër toke dhe, me çdo kusht duan t’ia falin Malit të Zi mbi 8000 hektarë. Me këtë problem madhor mbetën të pakënaqur si pjesa e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që s’i plotësuan 2/3 e shumicës dhe, shumica dërmuese e popullit, siç u pa më datën 1 shtator 2016. Isha prezent atypari në Prishtinë e u tmerrova me atë se çka dëgjova dhe pashë!!! Që aty, i indinjuar e i dëshpëruar thellë, mora vendim t’i rrekëm punës në kërkim të dëshmive dhe fakteve që eventualisht mund të argumentojnë të kundërtën e Komisionit për Demarkacion. Kisha një bindje që dikush nga djemtë rugovas duhet të dalë e t’i prijë kësaj çështje madhore për kombin, siç prinin dikur më parë djelmoshat rugovas në luftërat e përgjakshme me cubat dhe me ushtrinë famëkeqe të kral Nikollës. Dihet se rugovasi s’e ka mbajtur së koti shallin e bardhë rreth kreje, por në rast kur është vrarë në luftë ia kanë mbështjellë trupin me shall në vend të qefinit dhe e kanë varrosur. Me kthimin tim në Zvicër vazhdova të kërkoj dhe të hulumtoj për dokumentacionin me hartografi nëpër arkivat dhe bibliotekat zvicerane dhe evropiane të Evropës juglindore dhe, me në fund m’u shpërblye mundi dhe i gjeta ato se çka kërkoja dhe se çka i nevojitej popullit tim. Në rikujtim të historisë së hidhët në Kongresin e Berlinit 1878, nuk u ftuan fare shqiptarët, vetëm se u dërguan telegrame nga Shkodra, Lidhja e Prizrenit dhe Stambolli, e të cilat s’u morën fare në konsideratë dhe u bë pazar pa hanxhinë me tokat tona për ta arritur një paqe 30- vjeçare në Ballkan duke ia falur Serbisë 11000 km2 të Kosovës dhe, falë Greqisë – Çamërinë, Maqedonisë etj. Ndërsa, Malit të Zi i jepen troje shqiptare e i njihet pavarësia duke iu dyfishuar territori prej 4400 km2 sa kishte më parë, në 9000 km2. Cungimi i trojeve shqiptare Pastaj në vitin 1912, Mali i Zi lidh kontratë me Bullgarinë gjoja për ta dëbuar Turqinë nga trojet shqiptare e me Serbinë fillon bisedat në Cetinje dhe i përfundon në Luzern të Zvicrës më 27 shtator 1912, duke e nënshkruar Konventën politikoushtarake të Aleancës ballkanike. Me këtë rregullohen drejtimet e veprimeve të ushtrisë serbo-malazeze. Mali i Zi me datën 08.X. 1912 me mbi 35000 ushtarë si anëtarë të aleancës ballkanike e para e fillon luftën ballkanike. E merr Plevlen, Bijello Polen, Beranin, Pejën, Gjakovën, Rozhajën, Plavën e Gucinë, Tuzin dhe pjesën e Liqenit të Shkodrës.!!!. Më vonë edhe në vitin 1913 në Londër, në Kongresin e Ambasadorëve, rikonfirmohet falja e tokave shqiptare Malit të Zi. Ato ishin fatkeqësitë tona të njëpasnjëshme e në dëm vetëm të territoreve tona. Si përherë Fuqitë e Mëdha gjithnjë vendosën për kufijtë pa prezencën tanë. Në Kongres të Berlinit, nga pala e Portës së Lartë marrin pjesë: Teodori Pasha me Ali Pashë Maxharrin. Ky i fundit ishte një gjerman i lindur në Magdeburg të Gjermanisë dhe si i ri me një anije arrin në Stamboll. Atje adaptohet duke e mësuar gjuhën turke, shkolluar dhe arrin gradën e gjeneralit. Në mbarim të Kongresit zotohet se personalisht e me çdo kusht do t’ua dorëzojë malazezëve Plavën me Guci dhe Ulqinin. Mirëpo, kur arrin në Gjakovë i kuptohen qëllimet tradhtare te tij, atëherë patriotët shqiptarë e vrasin në kullën e Ali Pashë Drenit. Më pastaj, më 1918 në Versajë të Parisit, nga Greqia e Serbia u tentua të copëtohej edhe Shqipëria e 1912-tës. Falë Presidentit amerikan z.Woodrith Wilson, kurrsesi nuk u lejua të copëtohej edhe ajo Shqipëri e cunguar. Tragjeditë tona vazhdojnë edhe nën Mbretërinë serbo-kroatosllovene e duke vazhduar gjer në Luftën e Dytë Botërore dhe gjithnjë pas saj. Më në fund fituam diçka me Autonominë e 1974-tës, si njësi e tetë federale, por serbët të pakënaqur me të, se në tavolinë humbën, hoqën autonominë dhe filluan luftën e fundit dhe të njëjtën e humbën njëherë e përgjithmonë, falë luftë- tarëve kosovarë dhe popullit, me NATO-n dhe BE-në. Po, çka t’i thuhet Murat Mehës, kryetar i Komisionit, të cilin kurrë s’e kam takuar e që fare s’është me rëndësi, por e kam parë në TV, ku njërin sy gjithnjë e mbante të mbyllur e me gjasë s’e shihte fare kufirin kosovar, ndërsa me tjetrin e sheh mirë atë malazez. Treshes Përqeshëse ( Hashimit, Isës dhë Kadrisë) do t’u kërkoja në emrin tim, të rugovasve të mi e qe do ta bëja edhe në emër të popullit tim, por nuk kam autorizim dhe kompetenca, që: Mos luani me trojet tona, që me çdo kusht t’ia dorëzoni malazezëve falas 8000 hektarë tokë të Rugovës Kreshnike. Edhe pse krerët malazezë deklaruan se çështja e Demarkacionit është çështje e brendshme e Kosovës, ata nuk janë edhe aq qëllimmirë dhe jo aq miqësorë me kosovarët, siç mendoni ju ore qeveritarë, kur shpërndan dhe vendosën policinë në kufirin ende të paratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Një paprecedent në shkeljen e tokave tona. Pretendim në zgjerimin e tokave të tyre, siç bëri dikur kral Nikolla në mbështetje të Rusisë Cariste. Ai ishte një megaloman i pangopur për zaptimin më të madh të tokave shqiptare edhe me Shkodrën, Pejën, Gjakovën etj. Po a mendoni se pak territor na kanë zaptuar, e ju doni me ju dhënë prapë! Përpara ua kanë dhënë të huajt, e sot ua japim ne vetë! E ndjej obligim ta përmend një proverb të një burri të mençur dhe pleqnarit të dikurshëm të Drenicës martire të asokohshme – Xhemajl Abrisë ” Para se të vdiste kishte pas dalë në dritare dhe, kishte pas thënë: Oj ulicë qofsh mallkue, pas meje s’di se kush ka më t’ladrue? Tani po përpiqem t’i përgjigjem unë: Pasha bacën, e ladruan mjaft dhe, ja k. nanën, një numër djemsh nga Drenica me ndihmës nga Llapi e Gollaku, së bashku me disa vasalë të Dukagjinit. Po, le të thuhet inshaallah e mbrëma me hair? Por çfarë hairi, more!!! Çfarë hairi??? Hëë mo Zo më keq. Edhe një herë po e prezantoj dokumentacionin e gjetur me harta kundër vendimeve të komisionit shtetëror për Demarkacion: – Enciklopedija Jugoslavije, ku shkruhet për Malin e Zi, Libri 3, nga Jugoslavenski Leksikografski Zavod ” Miroslav Krleza” Zagreb, Viti 1984, faqe 185 në një radhitje alfabetike të emrave dhe toponimeve të ndryshme: “?AKOR, planina izmedju SR CRNE GORE i SAP KOSOVA, visoka 2048 m…itd,” Çakorri, bjeshkë në mes të RS të Malit të Zi dhe KSA të Kosovës, i lartë 2048 m… etj. Nga kjo ka lindur edhe kënga që këndohej: ” Od ?akora sve do mora, to je zemlja Crna Gora”; (“Prej Çakorri gjer në det është tokë malazeze”). Pra, vërtetohet ajo se çka shkruan në Enciklopedi se: Maja e Çakorrit është në mes të Malit të Zi dhe Kosovës, aty ku është edhe kufiri ndërshtetëror. Por, edhe kënga malazeze realisht do të duhej të këndohej si vijon: ” Prej Çakorrit gjer në det në Ulqin me Tivar, është tokë e uzurpuar e Malësorëve shqiptarë”. Pastaj janë librat enciklopedikë Botimi 1, nga janë nxjerrë hartat: Libri 2 Pjesa e Bosnjës 1956…….CRNA GORA 1956 Libri 6 Kaklj -Put 196……………..Harta e Pejës – PEC Libri 7 R- Srbija 2904. 1968. Harta Srbija dhe Harta Srbija Geoloska karta, Viti 1968 Harta nga botimi 3 Crn -DJ e vitit 1984… Geografska karta Crne Gore,datë 28.12.1982 dhe në fund Harta e Jugoslavisë e datës 18.IX. 1990. ( Autori është hulumtues dhe gjetës i hartave dhe i prezanton për herë të parë për një medium publik, pra ekskluzivisht për gazetën numër 1 në Kosovë, “Kosova Sot”)

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...