Home / Opinion / Enveri ‘vodhi’ vetëm dy metra tokë!

Enveri ‘vodhi’ vetëm dy metra tokë!

nveri ‘vodhi’ vetëm dy metra tokë!

Enveri ‘vodhi’ vetëm dy metra tokë!

Muharrem Xhafa*

Në reagimin e fundit në gazetën “Dita” jam shprehur se nuk do të replikoja më. Po, kur shoh që nuk ndalen sulmet kundër Enver Hoxhës, edhe unë nuk kam përse i qëndroj fjalës së dhënë në shtyp! Në fakt, unë do t’i përgjigjem të gjithë pinjollëve të ballistëve dhe të kolaboracionistëve të tjerë, të cilët vazhdojnë të hedhin gurë e baltë mbi figurën e ndritur të Enver Hoxhës dhe Luftën tonë Antifashiste Nacional-çlirimtare, apo renegatëve të bashkuar me ta.

A është Enveri Hoxha “diktator” apo janë këta kolaboracionistë të paguar për të mbajtur flamurin e luftës kundër Enverit me shpifje të ulëta?! Sa e thjeshtë është kjo çështje, aq dhe e ndërlikuar. Prandaj dhe pa përmendur më emra, unë iu përgjigjem pa i ndarë nga njëri-tjetri.

Enver Hoxha nuk ka pasur pushtet të pakufizuar dhe nuk ka vepruar për çështje te mëdha të ndërtimit e të mbrojtjes së vendit, pa pyetur popullin, partinë, Komitetin Qendror, Kuvendin Popullor, qeverinë. Enver Hoxha nuk ka lejuar të gjykohet e të dënohet njeri për gabime a veprimtari armiqësore në parti, në shtet, në ekonomi, pa tërhequr mendimin e organizatave e të forumeve të Partisë, të organeve shtetërore, pa u konsultuar me ligjet e pa vendim te gjykatave të popullit. Enver Hoxha nuk u ka diktuar të tjerëve vullnetin e tij politik a juridik, as ka kërkuar të zbatohen porositë e urdhrat e tij pa përfillur mendimin, dëshirat e interesat e masave të popullit e të Partisë. S’ka burrë shteti në botë, që të ketë shkuar e biseduar “gju me gju” me popullin e vet si Enver Hoxha anë e mbanë atdheut të tij. S’ka burrë shteti në botë, që të ketë vizituar e të ketë pritur në shtëpinë e vet aq shumë familje shqiptare, të ketë bërë aq shumë vizita në atdheun e tij për gëzime e për raste fatkeqësish natyrore, të ketë pasur aq shumë korrespondenca me letra, telegrame, kujtime, me njerëz të thjeshtë e me kuadro.

E di që juve nuk ju pëlqejnë këto, sepse juve ju mbajnë e ju mbrojnë “si veshka midis dhjamit” udhëheqësit “demokratë” të borgjezisë të tipit Berisha, ballistësh e kolaboracionistësh, të cilët drejtojnë shtetin prej 25 vjetësh dhe i kanë çuar vendin e popullin në katastrofë! E di që Enveri juve nuk ju pëlqen, sepse ai nuk jeton me, se po te jetonte do t’i përgjëroheshit ashtu si bënit kur ishte gjallë! Ky udhëheqës e burrë i madh shteti, nuk mund të ishte as “diktator”, as “tiran”, as i “urryer”!

Mbreti juaj, demokrati” Ahmet Zogu, kur u pushtua Shqipëria nga “miqtë” e tij fashistë italianë, pasi vodhi e mori me vete tërë thesarin e popullit, e la atdheun dhe iku si “trim” nëpër botë, bashkë me oborrin e tij “patriotik”! Enveri “im” bëri tjetër gjë, nuk ndoqi shembullin e “mbretit” tuaj satrap! Ai me burra të tjerë të shquar të Shqipes, në krye të PKSH e të popullit, ndezi flakët e luftës antifashiste, bashkoi e bëri popullin për vete, e lidhi Shqipërinë “monarkiste” me aleatët e mëdhenj Anglo-Sovjeto-Amerikanë dhe çliroi jo vetëm atdheun e shqiptarëve, po dha edhe një kontribut të madh për mposhtjen e ushtrive te Hitlerit e te Musolinit, që ju ka gjasa i simpatizoni e i mbështesni!

Kolaboracionistë, udhëheqësi im, kur ndërroi jetë, e la atdheun e tij ashtu siç ishte, pa pushtues të huaj, me fabrika e uzina, me miniera, me hidrocentrale elektrike gjigante, me industri të rëndë, po edhe të lehtë e ushqimore, me bujqësi e blegtori të niveleve të larta, me hekurudhe te lidhur me Evropën, me shkolla, me institute e universitete, me Akademi te Shkencave, me arsim masiv kombëtar falas, me letërsi, kulturë e arte të pastra e te zhvilluara, me shëndetësi, spitale e shërbim mjekësor gratis për njerëzit pa dallim, me ushtri e mbrojtje të fuqishme, pa lypsa, pa kriminalitet të zhvilluar, pa drogë e pa prostitucion. Zotërinj, edhe jo pa halle e të meta, edhe jo pa gabime, sepse s’ishte e lehtë të qëndroje, të ndërtoje e të mbroje socializmin në oqeanin e botës borgjeze e revizioniste, që mendonte çdo minutë si ta përmbyste socializmin në Shqipëri, qoftë edhe me dhunë, në bashkëpunim me të parët tuaj!

Zotërinj, ju e dini, po edhe unë dua t’jua kujtoj: A keni harruar se çfarë la pas e çfarë mori me vete “diktatori” im, Enver Hoxha, kur vdiq, më 11 prill 1985? Dy metra tokë-varr si shokët e me shokët e tij të luftës e të socializmit! Burri më i njohur në historinë e popullit e të kombit shqiptar të gjitha i la këtu, për popullin, për Shqipërinë, asgjë për familjen e tij “diktatoriale”! Tjetër gjë që nuk ia keni arritur e as nuk do t’ia arrini kurrë qëllimit, po ju u gëzuat kur krimineli demokrat Berisha i zhvarrosi edhe eshtrat Heroit të Kombit dhe s’la gurë pa lëvizur për të zhdukur çdo gjurmë të tij, ndërsa “zogut mbret” i ndërtoi katakombe!

Kolaboracionistë, “mbreti” juaj a si Enveri im veproi? Po udhëheqësit tuaj “të dashur” ballistë, kuislingë, borgjezë të sotëm, ashtu punojnë për popullin e për Shqipërinë, si Enveri im?! Apo janë të mirë se shkatërruan gjithçka, vodhën për vete gjithçka, shitën për vete e për pushtetin e tyre gjithçka, edhe tokën, edhe qiellin, edhe detin, edhe nderin e moralin kombëtar! Kjo është liria? Kjo është drejtësia? Kjo është demokracia?

A pyesin “udhëheqësit” tuaj për popullin? A jeni ju dakord me gjendjen ku janë katandisur vatani e masat e popullit, me hendekun e stërthellë, që ndan një grusht borgjezësh të pasur nga masat e popullit, me pasigurinë për jetën e njerëzve, me të zezat që kanë kapluar sot qytetarin e thjeshtë, me nivelin e varfërisë se skajshme dhe që jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë, te cilit mund t’i vije vdekja nga një aksident automobilistik në rrugë, nga një plumb qorr, nga pushka e gjakësit, nga sëpata e babait, vëllait, komshiut? E di, kundërshtari im kolaboracionist, e di që mund të na thoni: Përse u përmbys socializmi në vendin e Enverit pas vdekjes së tij? Zotërinj, nuk u përmbys socializmi në Shqipëri nga varfëria. E dini pse? Se socializmi ishte aq i kamur sa u bënë 25 vjet që klasa e borgjezisë e ustallarët tuaj hanë mbi të, janë majmur mbi të, kanë vënë miliarda me pasurinë e socializmit, krijuar me mundin e djersën e popullit!

Akuzën e parë, kolaboracionisti ua drejton mediave. Se edhe këta kanë mendimin që mediat janë ato që punokan për të rehabilituar “figurën e “diktatorit” Enver Hoxha”! Një kritikë qesharake, sepse mediat në tërësi janë e kanë qenë në pararojë të sulmeve me shpifje kundër Enver Hoxhës e veprës së tij. Veç, kush ka hedhur baltë mbi Enver Hoxhën, ai ka baltosur veten!

Që mendja e një njeriu të sëmurë “prodhon” ide të sëmura”, kjo nuk përbën “çudi”! Po, kur të sëmurë janë, përveç bashkëpunëtorëve të fashizmit, edhe intelektualë, ish-komunistë, ish-oficerë, ish-mësues të letërsisë e arteve, të marksizëm-leninizmit e të mësimeve të Enverit, rreziku shtohet!

Enver Hoxha “diktator”? Këtë mund ta thonë ballistët, bashkëpunëtorët e pushtuesve të huaj, të “persekutuarit politikë”, por jo ato emra që dalin dhe te DITA, ish kuadro të pushtetit popullor, se nuk ua beson njeri! Enveri, që bëri, në krye të popullit e të komunistëve, gjithë sa thamë, që populli e deshi (e do edhe sot), që i tërë populli i Shqipërisë e shqiptarët kudo në botë e qanë me lot e me shpirt (e kërkojnë edhe sot), ky nuk mund të jetë diktator!

About admin

x

Check Also

Biserko: Edi Rama ishte politikani i parë që pranoi ndarjen e Kosovës

Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, nuk gjendet në tryezën e bisedimeve mes të ...