Home / Lajme / Bashkimi me Shqipërinë nuk e asgjëson Kosovën

Bashkimi me Shqipërinë nuk e asgjëson Kosovën

Gorani: Bashkimi me Shqipërinë nuk e asgjëson Kosovën

 

Analisti politik dhe anëtari i Vetëvendosjes, Dukagjin Gorani, nuk pajtohet me tezën se përdorimi i simboleve të Shqipërisë, disa herë në kurriz të atyre vendore nga Lëvizja Vetëvendosje, përbën rast të sakrifikimit të identitetit vendor shtet-formues për hir të projektit të “Bashkimit Kombëtar”.

Madje ai thotë se zhvillimet e sotme në Evropë e Ballkan po ngrenë pasiguri të reja për fatin e Kosovës në të ardhmen, dhe në këto kushte, projekti i Bashkimit Kombëtar mund të ishte shpëtimtar për shqiptarët e Kosovës.

Gazeta JNK: Përdorimi i simboleve të Shqipërisë, disa herë në kurriz të atyre vendore (flamur vs flamur apo kombëtare futbolli vs kombëtare futbolli), nga Vetëvendosje, a përbën rast të sakrifikimit të identitetit vendor shtet-formues për hir të projektit të “Shqipërisë së Madhe”?

Gorani: Jo. Është e kundërta. Lëvizja Vetëvendosje e synon një Republikë të drejtësisë sociale dhe të barazisë ligjore duke e parë Kosovën si një shtet funksional – e vetëdijshme se gjasat për qëndrueshmëri ekonomike dhe politike të një shteti të tillë po vështirësohen skajshëm, gjykuar nga zhvillimet brengosëse në Ballkan por edhe në Bashkimin Evropian.

Mbase, kjo nuk është ajo që e mendonim më 1999, mirëpo përkeqësimet e vazhdueshme të situatës sonë ndodhën pavarësisht dëshirave tona. Bota nuk është më ajo që ishte më 1999 – e me të as Ballkani, BE, Evropa Lindore apo edhe Lindja e Mesme. Sot, statusi i Kosovës vazhdon të mbetet në mëshirë të proceseve të ndërlikuara botërore dhe rajonale; diçka e ngjashme me Palestinën, ndonëse në një kontekst tjetërfare politik dhe të sigurisë.

“Statusi i Kosovës vazhdon të mbetet në mëshirë të proceseve të ndërlikuara botërore dhe rajonale; diçka e ngjashme me Palestinën”

Andaj, çështjet identitare që po përmendni i shoh si kategori fluide dhe dinamike. Ato varen dhe formësohen nga rrethanat në të cilat jetojmë. Nuk janë koncepte të ngurta, statike dhe të pandryshueshme. Çka nëse nuk mund t’ia dalim të mbijetojmë si shtet i pavarur në një Ballkan të trazuar? Çfarë do të bëjmë? Ta braktisim Kosovën? Të vajtojmë? Apo, të përpiqemi për mbijetesë duke e konsideruar bashkimin në një shtet shqiptar si përpjekje gjithëpopullore?

Gazeta JNK: A ekziston një kundërthënie apo paradoks në këto qasje të kësaj force opozitare, kur në njërën anë glorifikohet koncepti i ‘Republikës’, ‘Shtetit’ dhe ‘jetësimi i pavarësisë’, dhe nga tjetra kërkohet “Shqipëria e Madhe”?

Gorani: Natyrisht që ekzistojnë kundërthënie dhe paradokse. Ato janë shpërfaqje e jetesës sonë të brishtë politike dhe të rrugëtimit të ndërlikuar historik të shqiptarëve të Kosovës. ‘Kundërthëniet’ që shihni tek Lëvizja Vetëvendosje i gjeni tek çdo shqiptar në Kosovë. Të gjithë flasin për shtetësi dhe pavarësi dhe të gjithë e këndojnë me mall ‘Thërret Prizreni Mori Shkodër’. Po ashtu, njëkohësisht, shumë prej tyre e qortojnë Vetëvendosjen për ‘qasje anti-shtetërore’ në qëndrimet e veta!?

Këto paradokse janë të ngulitura brenda nesh tash e së paku 100 vjet: ai që është shqiptar i Kosovës e kupton për çfarë po flas. Vërtet, bëhet fjalë për një ‘disonancë kognitive’ të cilën e shoh normale dhe krejtësisht të kuptueshme për një shoqëri si ne. Nuk e di përse në opinionin publik në Kosovë është duke u popullarizuar qasja përjashtuese ‘ose-ose’ – e një kundërshtimi ekstrem binar në të gjykuar. Pra, ose jeni për shtet të pavarur, ose për ‘Shqipëri të Madhe’; ose jeni shqiptar, ose jeni kosovar; ose jeni me Amerikën, ose jeni kundër saj.

“Kjo farsë mbi një ‘esencializëm identitar’ është sa fëmijërore, aq edhe primitive”

Kjo farsë mbi një ‘esencializëm identitar’ është sa fëmijërore, aq edhe primitive. E përsëris, Lëvizja Vetëvendosje e synon një Republikë të Kosovës, një shtet funksional me shumicë shqiptare – por assesi nuk e përjashton bashkimin me Shqipëri si synim i dalë nga traumat historike dhe brengat e sotme për zhvillimet në rajon. Jemi popull tepër i vogël për të insistuar në identitete rigide dhe në qasje të pakontestueshme. Lëvizja Vetëvendosje shpreh brengë të madhe për mënyrën se si është konstruktuar dhe – veçanërisht – se si menaxhohet shtetësia e Kosovës nga brenda dhe jashtë. Përgjithësisht mendoj se është e drejtë e LVV t’i ketë bindjet e veta; ndërsa, personalisht, mendoj se ka bindje të drejta.

Kosova vazhdon të jetë shoqëri e varfër dhe e paditur politikisht. Jemi të zënë peng nga grupe zhvatëse të cilave ua besuam qeverisjen pikërisht për shkak të këtij entuziazmi shtet-formues dhe për shkak të diskursit të tyre mashtrues për ‘pavarësi, institucionalizëm dhe partneritet me bashkësinë ndërkombëtare’. Lëvizjen Vetëvendosje duhet ta shihni brenda këtij konteksti: si një pasojë e dalë nga dëshpërimi, mashtrimi dhe keqpërdorimi masiv me shpresat e shqiptarëve në Kosovë. Shembull, sa mund të besohet në një shtet të Kosovës nëse ai do të vazhdojë të qeveriset nga kjo kastë politikanësh edhe për 16 vite të tjera?

Gazeta JNK: Nëse do të ndodhte bashkimi i dy “Shqipërive” në Një, si do te ishte forma? Me federatë, shtet i vetëm klasik, si?

Gorani: Mendoj se një intervistë e shkurtër për ‘Jeta në Kosovë’ nuk lejon hapësirë të mjaftueshme për një mbarështim më të përpiktë të kësaj pyetje ambicioze. Me kënaqësi do të përgjigjesha brenda ndonjë formati më të përshtatshëm, në të ardhmen.

Gazeta JNK: A mund të konsiderohet që kjo propagandë nuk përbën një rast të izoluar, por përshfaq edhe paqartësitë identitare të shqiptarëve të Kosovës, keqkuptimet, mitet etj.?

Gorani: Për këtë fola më herët. Dilemat e mëdha identitare brenda shqiptarëve të Kosovës janë shpërfaqje e traumave të tyre historike dhe të amatorizmit politik të pasluftës. S’është gjë tragjike kjo – mirëpo mund të shkaktojë tragjedi nëse çimentohet në kulturë të komunikimit politik. Këto ditë, me pikëllim po e vërej tendencën publike për ta demonizuar Lëvizjen Vetëvendosje, veçanërisht nga ato qarqe shoqërore që formalisht kundërshtojnë qeverisjen e sotme të vendit. Me gjithë kundërshtitë e veta diskursive dhe pezmin radikal që shfaq ndaj jetesës së padrejtë në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje nuk është përgjegjëse për situatën tonë të mjerë sot.

Këtë faj s’mund t’ia mveshë askush, pavarësisht përpjekjeve të pareshtura. Ajo synon një Republikë të ndershme dhe e ëndërron bashkimin kombëtar: këto synime të saja nuk e shkaktojnë mizërien e përditshme të qytetarit në Kosovë. Ajo shkaktohet nga qeverisja e keqe, e jo nga synimet ideologjike të LVV. Madje, mendoj se janë pikërisht partitë pa kurrfarë agjende të strukturuar ideologjike e morale ato që prodhojnë pakënaqësitë sociale dhe krizat politike në vend.

Së paku, republika e zhvillimit dhe bashkimi kombëtar qenkan synimet tona ideologjike. Pa më thuani se cilat janë ato të pushtetit aktual, sot? Dokrrat mbi ‘partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare’ dhe ‘integrimet euro-atlantike’? Mirë – pse pra po ajo bashkësi ndërkombëtare po e refuzon partneritetin me Kosovën? Për shkak të synimeve ideologjike të Lëvizjes Vetëvendosje? Apo për shkak të shkallës së korrupsionit shtetëror e publik që e zhvillon po ky pushtet, tash e sa vjet?

Të gjithë e dimë përgjigjen në këtë. Por, si duket, kjo nuk po e ndalon një pjesë të shoqërisë që ta drejtojë qortimin e vet kah Lëvizja Vetëvendosje – të shumtën, mendoj, meqë është shënjestra më e lehtë. Është lehtë ta mallkoni një organizatë idealistësh opozitarë për të gjitha telashet e përditshme që keni gjatë jetës në Kosovë. Është e lehtë, por jo edhe saktë. Mbi të gjitha, është e padrejtë – ligjërisht dhe moralisht.

Çfarëdo që të jetë, Lëvizja Vetëvendosje i bën publike qëndrimet e saja. Mund ta përkrahni, ose jo. Ta votoni, ose jo. Mirëpo, mallkimet dhe ofendimet ndaj saj janë të pakuptimta meqë nuk është në pushtet. Tek e fundit, nëse jeni kundër këtij pushteti dhe nuk ju përshtatet Vetëvendosja apo partitë tjera – atëherë themeloni një subjekt tuajin. Mbi të gjitha, politika është veprim dhe angazhim, e jo komentim.

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT?(!)

    Pyetje: Zoti Dlaver, si mund ta komentoni një deklaratë të ...