Home / Lajme / ADEM DEMAÇI, SIMBOL I QËNDRESËS SHQIPTARE

ADEM DEMAÇI, SIMBOL I QËNDRESËS SHQIPTARE

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

Adem Demaçi lindi në Prishtinë më 26.02.1936.
Është veprimtar për çështjen kombëtare në Kosovë, por edhe për të drejtat e njeriut. Kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, vijoi studimet për shkencat juridike në Prishtinë dhe për letërsi në Beograd.
Në vitet ’50 punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, vjersha dhe përkthime letrare.

U bë i njohur me veprën “Gjarpinjtë e gjakut” që u botua në vitin 1958 e që trajton plagën e dhimbshme të gjakmarrjes. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, duke ngritur zërin kundër shpërnguljeve dhe diskriminimit kombëtar ndaj tyre. Në vitin 1958 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim. Pas daljes nga burgu më 1961, vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari, në vitin 1964 u dënua me 15 vjet heqje lirie. Në gjyq mbrojti pikëpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare dhe kjo e bëri të njohur ndër shqiptarët në Jugosllavi. Më 8 qershor 1974 u lirua nga burgu, por pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990.
Për qëndresën e tij gjatë 28 viteve në burg, si disident në Jugosllavi, në vitin 1991, u vlerësua me çmimin “Saharov” në Strasburg.
-E vijoi veprimtarinë e tij kombëtare dhe në vitin 1998 u bë përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë detyrë e mbajti deri në shkurt të vitit 1999, kur dha dorëheqje, pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve në Konferencën e Rambujesë (1999).
-Pas vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Demaçi ka mbajtur ligjërata në Degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas ka ushtruar veprimtari shoqërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Ndër shqiptarë, njihet edhe si baca Adem.
Është një ndër figurat më madhore të kombit shqiptar.
Është i njohur edhe në skenën ndërkombëtare.
Është simbol i qëndresës së shqiptarëve në Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të serbëve, të malazezëve dhe të sllavo-maqedonasve ndaj shqiptarëve. Ideal i bacës Adem ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar, përkatësisht krijimi i Shqipërisë etnike.
-Ky atdhetar i dorës së parë është një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore.
Është nderi dhe krenaria e kombit. Me një fjalë, është institucion në vete. Nuk është anëtar i asnjë partie dhe nuk voton për asnjë parti, edhe pse para rreth një viti e gjysmë ka deklaruar se e mbështet krahun e luftës. Nuk ka dashur të formojë parti politike, vetëm e vetëm që të mos shkaktojë përçarje në hapësirën politike shqiptare. E kanë quajtur Mandela i shqiptarëve.
Liria e Kosovës nuk mund të paramendohej pa këtë kolos të kombit.
29. Shkurt, 2016

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT?(!)

    Pyetje: Zoti Dlaver, si mund ta komentoni një deklaratë të ...