Home / Lajme / Zhgënjimi i mjeruar i ambasadorit “von” Helmut Hoffman!

Zhgënjimi i mjeruar i ambasadorit “von” Helmut Hoffman!

Ambasadori gjerman, von Helmut Offman na qenka zhgënjyer ngase 25 vjetori i rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës nuk u festua madhërisht nga të gjithë shqiptarët. “Unë kisha menduar, – thotë ai në ligjëratë të drejtë, – që 25 vjetori i rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha të shtunën e kaluar do të përkujtohej në formën e një aktiviteti madhështor në sheshin Skënderbej…”

Meraku i Offmanit gjerman, na rikujtoi sindromën e kolegut të tij amerikan me emrin Arvizu, i cili, ashtu si Offmani, kishte alergji të pashërueshme për udhëheqësin e shqiptarëve, Enver Hoxhën. Por ndërsa i pari kishte një urrejtje që lidhej me sistemin shoqëror që Enver Hoxha përfaqësonte, Offmani gjerman këtë alergji e ka të dyfishtë: edhe për sistemin që ai ndërtoi e mbrojti, por edhe për një fakt më të qartë që lidhet me planet e Rajhut gjerman, fundi i të cilave erdhi edhe me kontributin e partizanëve shqiptarë të udhëhequr nga “Diktatori” Hoxha.
Jo më kot, në fillim të shkrimit, para emrit të ambasadorit Helmut Offman unë vura titullin “von” që ka shoqëruar çdo emër hierarku gjerman të periudhës nga Bismarku gjer tek Hitleri. A ka lidhje ambasadori Helmut Offman me Hitlerin? Është i të njëjtit fis, që ruan e transmeton me “mënyra demokratike” dëshirat e parealizuara të “Arturo Uit” të fillim-shekullit të njëzet. A nuk na paralajmëron dramaturgu gjerman Bertold Breht se “Barku që i polli, ende nuk është shterpëzuar”?!
Ambasadori gjerman me emrin Offman (me emër të tillë kanë qenë një seri topash të ushtrisë hitleriane) nuk besoj të ketë qenë ushtar i Rajhut të Tretë, por jam i sigurt se e ka lexuar historinë e Luftës së Dytë Botërore. Në këtë luftë, Shqipëria e vogël, ku ai sot është ambasador, dha një kontribut të lavdërueshëm për eliminimin e bishës fashiste të gjermanit Adolf Hitler. Këtë luftë të popullit shqiptar e udhëhoqi pikërisht Enver Hoxha, që ky mik fallco i popullit tonë po na e quaka diktator dhe dëshiron t’i festojë rrëzimin e shtatores. Në të njëjtën kohë ne nuk kemi parë që ky ambasador dhe shefat e tij në Berlin të organizojnë ndonjë festim madhështor për rrëzimin e shtatores së Hitlerit. Madje bustin e tij e ruajnë gjoja për “demokraci” e për “histori, por në fakt e ruajnë për nostalgji, e për më tepër se aq.
Jam i sigurt se gjermanët e tipit të Hoffmanit, që kanë pasur ose duan të kenë një “von” përpara emrit, nuk janë pajtuar realisht me humbjen e Luftës së Dytë Botërore. Ata përsëri ëndërrojnë t’i kthehen asaj stratage me të dështuar. Ndaj dhe nxisin popujt e tjerë të përmbysin shtatoret e liderëve të tyre, për të krijuar terrenin e përsëritjes së viteve dyzet të shekullit të kaluar.
Ambasadori në fjalë e sheh mjaft mirë se Europa e sotme, ku vendi i tij është “violinë e parë”, është përsëri në prag të fashizmit. Ky fashizëm në prag të Europës, mund të na vërsulet përsëri, ndaj ne shqiptarët jo vetëm nuk do të festojmë “me madhështi” rrëzimin e shtatores së Liderit tonë historik, por do ta ringremë atë më të lartë, për t’ju treguar brezave se Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë burrat e mëdhenj si Enver Hoxha, kur vendi është ndodhur në rrezik. Emri i këtij Shqiptari të Madh, rron e do të rrojë Shtatore e Gjallë në memorien tonë historike. Rreth kësaj shtatoreje dhe emrit që ajo përfaqëson, ne shqiptarët do të qëndrojmë jo për të festuar rrëzimin, por lartimin e saj. Zhgënjimi i ambasadorit Offman dhe shokëve të tij do të mbetet zhgënjim i mjeruar!

About admin

Leave a Reply

x

Check Also

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019  Nga Xhevdet Shehu Në valët e debatit për Luftën ...