Home / Lajme / VEPRIMTARIA E GISHTAVE TË DORËS

VEPRIMTARIA E GISHTAVE TË DORËS

Kurorëzimi e ka origjinën qysh prej Egjiptit të lashtë, në të cilën për herë të parë nis përdorimi i unazës së fejesë dhe martesës. Qysh atëherë unaza filloi të vihej në gishtin e dorës së majtë të nuses, me anën e së cilës njeriu besonte se prej gishtit të katërt një damar shkonte drejt zemrës, prandaj është quajtur unaza e zemrës. Gishti i unazës (latin: digitus anularis) quhet edhe gishti i bukur, vetëm pse e mban unazën e martesës, me anën e së cilës tregohet dashuria dhe besnikëria e gruas ndaj bashkëshortit, gjithashtu edhe e burrit ndaj bashkëshortes deri në vdekje.

Shpeshherë unazat kanë diamante që shkëlqejnë, me anën e së cilës tregohet që femra është e fejuar apo e martuar dhe nuk ka vend për të tjerët, prandaj quhet unaza e mbrojtjes së fejesës dhe martesës, e cila e mbron edhe nga syri i keq.
Në anën tjetër, duhet të merren parasysh kushtet e jetës dhe të punës në kohën e lashtë, në të cilën gratë me dorën e djathtë kanë mbjellë farën, kurse me të majtën kanë mbajtur trastën me drithë, ndërkohë që burrat janë marrë me gjueti dhe me punë të rënda. Ngjashëm kanë vepruar edhe me përgatitjen e ushqimit, me dorën e djathtë kanë gatuar bukën, kurse me të majtën kanë hedhur ujë. Plugu në arë, qysh prej kohës së vjetër, vazhdon të lërojë në anën e djathtë. Pastaj fotoshkrimet dhe vizatimet në piramida egjiptianët e vjetër i kanë punuar me dorën e djathtë, dhe atë duke shkruar prej së majtës në të djathtën. Pikërisht shigjetarët në kohën e lashtë me dorën e majtë kanë mbajtur harkun, kurse me të djathtën kanë hedhur shigjetën. Që unaza është vënë në gishtin e dorës pasive, këtë e tregon edhe koha e re, në të cilën ora gjithashtu vihet në kyçin e dorës së majtë, për shkak se dora e djathtë është aktive me përdorimin e mjeteve të ndryshme të punës. Asnjë teknikë nuk e ngul gozhdën më mirë se çekani në dorën e djathtë që godet me forcë.
Prandaj dora e djathtë ka qenë modeste dhe superiore, nuk është stolisur me unazë, me byzylyk dhe më vonë me orë dore për matjen e kohës. Me një fjalë, dora e djathtë ka qenë e ngarkuar në të gjitha veprimtaritë e jetës fizike, si me rastin e përshëndetjes, ashtu edhe gjatë punës. Edhe pse njeriu me trurin e majtë lexon, shkruan, bisedon dhe punon, megjithatë të gjitha aktivitet përdoren me dorën e djathtë. Ky veprim ka qenë parim edukativ, prandaj ata që thyenin këtë rregull, qortoheshin nga rrethi familjar e shoqëror. Kështu jeta dhe veprimtaria në kohën e vjetër është konstruktuar në anën e djathtë, që me kalimin e kohës është bërë traditë e kulturës së njerëzimit.
Dihet që në pikëpamje anatomike të gjitha gishtat e dorës janë të vlefshëm, po aq edhe të bukur dhe dhëmbin njësoj, secili gisht kryen funksionin e tij fiziologjik sipas radhës. Që puna të kryhet me sukses duhet që veglat dhe mjetet e punës të shtrëngohen me të gjitha gishtat e dorës, ashtu siç shtrëngohet çekani për kalitjen e hekurit. Pa dyshim që cilësia, sasia dhe shpejtësia e punës së bujkut, muratorit, mekanikut dhe minatorit është te duart e tyre të fuqishme, me të cilat ndërtohet bota e re. Pikërisht piramidat e mëdha, dhe të gjitha monumentet artistike e arkitektonike në Egjiptin e lashtë nuk u ndërtuan me asnjë lloj mjeti, pos me duart e punëtorëve.
Pesë gishtat e dorës populli i quan pesënjak, apo pesë vëllezër dhe asnjëri prej tyre nuk kanë gjatësi të njëjtë. Ashtu siç shihet bukuria e kalit në vrapim, shihet bukuria e gishtave në lëvizje. Gishti i madh është gishti më i fuqishëm dhe më i mençur prej të gjitha gishtave të dorës. Gishti i parë i dorës nuk quhet pse është i madh, por sepse është sovran. Prandaj pa gishtin e madh asnjë gisht tjetër nuk mund të punojë, dhe është pikëmbështetje e të gjitha gishtave të dorës. Pastaj vjen gishti i dytë i dorës, i cili quhet gisht universal i botës, me të cilin bëhet identifikimi vetjak i njeriut, që sipas mitologjisë greke quhet gishti i Marsit, me të cilin drejtohej lufta, kurse sipas frazeologjisë quhet gishti i shëllirës, por edhe i mjaltit, kurse sipas zhargonit të fëmijëve quhet gishti i hundës.
Të gjitha gishtat kryejnë funksionin e tyre: asnjë gisht tjetër nuk mund të bëhet tregues apo identifikues i njeriut, përveç gishtit të dytë, dhe atë i dorës së djathtë, i cili vjen menjëherë pas gishtit të madh. Dihet që gishti i bukur i unazës nuk është gisht superior i dorës, megjithëse ka një meritë më lartë se gishti i vogël, por më pakë se gishti i mesëm, dhe ky është gishti alpin, i cili gjendet në mes të gjitha gishtave. Gishtat e dorës kanë edhe kuptimin e figurshëm, për njeriun që vjedhë thuhet se është me gjashtë gishta. Prandaj kur flitet për njeriun me gjashtë gishta, duhet bërë sytë katër. Pastaj gishti i pestë është gishti më i vogël i dorës, populli e quan gishti i veshit, por edhe gishti përtac, meqë nuk mund të kryej aktivitetet sikur gishtat tjerë të dorës. Në dallim me gishtat tjerë të dorës, gishti i madh është levë për mbajtjen dhe shtrëngimin e mjeteve dhe veglave të punës, pa të cilin piramidat në Egjiptin e lashtë nuk do të ngriheshin. Prandaj kur çështja preket me gishtin e madh, puna kryhet shpejt.
Sipas mnemoteknikës gishti i madh përdoret në fizikë dhe në matematikë, me anën e së cilës tregohet drejtimi dhe rrethi magnetik. Pastaj me ngritjen e gishtit të madh tregohet suksesi, kurse me uljen e tij tregohet dobësia. Duket qartë që fëmijët numërimin e fillojnë me gishta të dorës. Dikur njerëzit në kohën e lashtë ende nuk dinin për numrat, ndaj bariu për të ditur sa krerë bagëti kishte, po aq guraçokë mbante në thes. Nëse katër-pesë krerë bagëti shtoheshin, po aq guraçokë futeshin në thes, por nëse një apo dy bagëti i mungonin, po aq guraçokë i largonte. Kështu filloi numërimi, që latinisht thuhet kalkulim.
Asgjë nuk ka më artistike se dy gishtat e dorës, gishti i parë dhe i dytë i dorës së djathtë, të cilët mund të qepin me gjilpërë, përndryshe angazhimi i gishtave tjerë vetëm sa e ngatërrojnë qepjen. Gishtat në makinën e shkrimit kanë sistem pune, po qe se gishtat ngatërrohen, atëherë në letër shfaqen gabimet. Gjithashtu me ndihmën e gishtave krijohen tingujt e muzikës nga instrumentet muzikore. Prandaj gishtat kanë parime dhe duhet përmbajtur, meqë nderi i njeriut matet me dy gishta. Duhet pasur parasysh se me anën gishtave të dorës krijohet alfabeti i të shurdhërve, dhe krejt në fund, me dy gishta të dorës kërkohet fjala e mësuesit në shkollë. Vetëm ngritja e dy gishtave paraqet shenjën e fitores, kurse shtrëngimi i grushtit me gishtërinj të mbledhur e të mbyllur bëhet i fuqishëm, dhe qëndron më lartë se dy gishtat e fitores, meqë me grushte edhe mbrohet, edhe sulmohet. Kur lojtari në fushën e futbollit shënon golin, publiku, sipas vendit, nuk i ngritë gishtat e fitores, por grushtet. Prandaj grushti simbolizon revolucionin dhe pushtetin e popullit.
Suedi, 15.02.2016

About admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

INTERVISTË ME ENVER DUGOLLIN, ISH-OFICIERIN USHTARAK TË FSK-SË, SOT ANËTAR I LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Intervistë me Enver Dugollin. (mar nga MekuliPress) Ish oficeri ushtarak, sociologu dhe ...