Home / Lajme / Si nuk të këputet “zorra” e kurrizit, zoti Stefani?!

Si nuk të këputet “zorra” e kurrizit, zoti Stefani?!

Intelektualët e llojit të Stefanit, që fatkeqësisht koha e “demonkracisë” borgjeze na i krijoi me tufa, në vend të shtyllës së kurrizit kanë me siguri një zorrë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti që megjithëse bëjnë pelivanin, duke u përdredhur sipas stinës e motit, nuk kanë patur asnjë problem me shtyllën kurrizore. Midis tufës së përcaktuar të analistëve që kanë uzurpuar ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave të ditës,

-Andrea Stefani zë vend të nderuar, të paktën për sasinë e emisioneve dhe të shkrimeve, të cilat nëse i hedh në Si-Di, do të siguronte një arkiv për tu pasur zili. Po, a i njohim këta analistë “opinionesh” që na bëjnë moral çdo mbrëmje, e çdo mëngjes duke na lënë gojëhapur me ligjëratat e tyre të përdredhura si zorrët e kukurecit? Në rastin konkret, a e njohim analistin dhe opinionistin Andrea Stefani, personazhin e shkrimit tonë, i cili prej dy dekadash e gjysëm ka përlarë kazmën për të shkallmuar me rrënjë e me degë epokën e para nëntëdhjetës, së cilës i pati shërbyer me devotshmërinë e militantit?
Sipas të dhënave të besueshme, që në shumicën e tyre janë plotësisht të vërteta, Stefanin tonë fund-vitet nëntëdhjetë e gjetën të veshur me uniformën e oficerit të ushtrisë popullore, duke dhënë leksione për marksizmin në shkollat ushtarake. Realisht ai ishte një oficer “Zall-Herras”, siç ne i quanim në atë kohë, por talenti i tij në fushën e propagandës i siguroi jo funksionin e komandanrtit të togës, post ky i barasvlefshëm me njohuritë që merren në këtë shkollë-kurs, por të pedagogut të shkollës ushtarake. Kur hordhitë demokratike të rrugës rrëzuan Monumentin e Enver Hoxhës, oficer Stefani, – na kumton Kastriot Myftaraj në një shënim të tijin me 24 prill 2010 tek “Opinions, books, interviews” – u betua se nuk do të rruhej e nuk do të qethej gjersa monumenti në fjalë të rivenbdosej në vendin e tij. Pas 31 majit 1991 kur ish Ministri i Mbrojtjes dorëzoi detyrën, i tha oficer Stefanit se mund të qethej e të rruhej, sepse tani kishte marrë fund puna e monumentit. Andrea ia ktheu se sa të jetë PP dhe 160 mijë komunistët, unë kam shpresa, ndaj do të vijoj të mos vejë brisk në faqe e gërshërë në kokë. Por erdhi qershori i 1991-shit ku PP u bë PS dhe shpresa e Andrea Stefanit u shua. Pas kësaj Stefani kërkoi një “sahan” tjetër, sahanin e borgjezisë i cili nga lyra e tepërt ja ndryshoi edhe ngjyrën e qimeve në faqe, e leshrave në kokë. Fillimisht shkoi në Greqi ku nisi një kurs për prift, me qëllim që, nga predikues i marksizmit të bëhej predikues i ortodoksisë. Dështoi si prift, por përsëri nuk mbeti pa “sahan”. Nisi punë si gazetar për ekonominë në “Gazetën Shqiptare” që e kishte zanafillën qysh në vitin 1927 me përmbajtje thellësisht fashiste. Pastaj gazetë më gazetë, për të mbërritur aktuaklisht në stafin e gazetës DITA, ku në çdo dy ditë mbush dy deri tre faqe të saj me një antikomunizëm që “shkëlqen” më shumë se antikomunizmi i të persekutuarëve politikë.
Sigurisht, çdokush ka të drejtë të ndryshojë në mendime, në koncepte, në veprimtari politike e shoqërore. Kjo e drejtë i takon edhe personazhit tonë Andrea Stefani. Por të marrësh “flamurin” e luftës kundër komunizmit dhe liderëve të tij, kur t’i i ke shërbyer me devotshmëri militante për gati gjysmën e jetës, do të thotë se ke një trup amfib, ku në vend të palcës kurrizore ke një zorrë prej llastiku, apo prej bagëtie të imët, nga ato që përdredh labi në kukurec. Dhe këtë përdredhje Stefani ynë e vë në punë sa herë bie fjalë për periudhën e socializmit dhe liderit që e bëri atë epokë me emrin Enver Hoxha, për të cilin Stefani dikur la mjekër e leshra, e që vijon t’i mbajë edhe sot, sepse nuk arriti t’ja rivendoste monumentin, siç shpresonte.
Kur jehona e intervistës së Rudina Xhungës me Nexhmije Hoxhën po shuhej, dhe njerëzit iu kthyen problemeve të reformës në drejtësi, ja ku na del Andrea Stefani me një shkrim të gjatë, plot dy faqe në DiTA, me të cilën e bën “fërtele”, si Nexhmijen dhe bashkëshortin e saj, të cilin ai, ashtu si sivëllezërit e tij të kohës borgjeze, e quan jo vetëm “Diktator”, por edhe “Përbindësh”!. Stefani i pranon “transformimet materiale dhe zhvillimet ekonomike” në epokën e Enver Hoxhës, por me djallëzi mefistofeli, e me budallallëk struci, nuk flet për transformimet e mëdha sociale e shoqërore që socializmi dhe Enver Hoxha realizuan, duke e transformuar Shqipërinë tonë mesjetare në një vend me fytyrë europiane e me një shtet modern të krahasueshëm me fqinjët e më larg tyre.
Të gjithë goditjen në kët rast Stefani mundohet t’ja japë “diktatorit” për dënimet që regjimi i tij bënte në “emër të popullit” dhe mungesës së lirisë së individit. Stefani, aktin më të padrejtë në këtë botë quan “marrjen e jetës së një krijese njerëzore”! Fraza e mësipërme, marrë e shkëputur nga nënteksti, është plotësisht e saktë. Por shtrohet pyetja: Po jetët e rreth 650 qytetarëve shqiptarë, shumica fshatarë, ushtarë apo punëtorë të thjeshtë me ose pa parti, që bandat e reaksionit morën nga viti 1947 gjer në vitin 1953 a nuk përbëjnë një akt monstruoz ndaj jetës njerëzore? Po marrja e jetës së katër nuseve e cucave të Mirditës për të vetmn shkak se sfiduan kanunin dhe shkuan në aksionin për rindërtimin e vendit, a nuk përbën një akt barbar e monstruoz të pashembullt? Po vrasja e “Jezukrishtit” të Arsimit, Ndrec Ndue Gjoka dhe të tribunit të mirditorëve Bardhok Biba, nuk është një barbarizëm monstruoz ndaj jetës së njeriut dhe të vetë popullit? Autorët e këtyre vrasjeve, mos duheshin përkëdhelur me “arrest shtëpie”, siç përkëdhel borgjezia e sotme pinjollët e saj? Çfarë mund t’i thotë Andrea Stefani, autorit të këtij shkrimi, babain e të cilit në vitin 1949 e vranë kriminelët, duke ja lënë djalin jetim në moshën 3 vjeç e gjysëm? Dhe babai i tij nuk ishte një ministër i komunizmit, por një fshatar i thjeshtë i fshatit supermalor Lufaj të Mirditës, që kishte marrë vullnetarisht e pa pagesë detyrën e kryetarit të këshillit të fshatit. Kriminelët që vranë babain tim, mor zoti Andrea, mos duheshin përkëdhelur apo falur krejt, siç u falën e po falen vrasësit e ’97-tës, Gërdecit e 21 janarit?
Ju zoti Stefani, merakoseni për të drejtat dhe liritë e njeriut. Bukur, kështu duhet. Por mos harro, se mbi të drejtat dhe liritë e njeriut qëndron e drejta dhe liria e Atdheut. Dhe ti e din shumë mirë se armiqtë që nuk e donin lirinë e Atdheut tonë nuk kanë munguar në asnjë kohë. Ti, si edhe shokët e tu, gjithnjë i bini të njëjtës vrimë kavalli, duke thënë se “Enver Hoxha, vrau shokët e tij”! Duke harruar, ose më saktë duke anashkaluar faktin se Enver Hoxha kishte vetëm dy shokë: Popullin dhe pushtetin e popullit. Kush ja prekte këta dy shokë ai nuk të falte. Dhe kështu duhet të jetë një shtetar, që ka vendosur të bëjë shtet. Aq më tepër kur ai shtet ishte i popullit dhe jo i borgjezëve. Sa për atë që ai mallëngjehej nga dënimet që jepeshin nga gjykatat popullore, ka një pasaktësi djallëzore nga ana juaj. Nexhmije Hoxha në intervistën e saj tha se Enverit i vinte keq jo për dënimet e armiqve, por i vinte keq për shokët e tij të luftës e të punës që nuk i rezistonin degjenerimit dhe bëheshin armiq të popullit dhe të atdheut. Ashtu siç ti interpreton djallëzisht thënien e Nexhmijes se vendimet për dënimet na i merrte Enver Hoxha, kur fjala e intervistueses ishte për vendime shtetërore, të cilat ai asnjëherë nuk i merrte me të shoqen, por me shokët e punës sipas funksioneve shtetërore e partiake që kishin. Mbi të gjitha Enver Hoxha vendimet e rëndësishme i merrte me popullin dhe për popullin. Ndërsa ju zoti Stefani, popullin e konsideroni turmë, ndaj dhe thoni se “Enveri kishte një “popull” të tërë që i marrosur pas kultit të tij, të fuste thonjtë në fyt për diktatorin”! Nuk e di, ju vetë keni qenë popull në kohën e Enverit, apo keni qenë jashtë popullit, siç jeni sot ku në vend të palcës dhe veterbrave të shtyllës kurrizore ke vënë një zorrë prej llastku, apo prej zorrëve të bagëtive.
Në fund të shkrimit të stërgjatur e të mjegulluar, si gjithë shkrimet që në bazë kanë gënjeshtrën dhe jo të vërtetën, Stefani detyrohet të thotë disa të vërteta, të cilat edhe pse shoqërohen me arsyetime “opinionisti”, përsëri i nxjerrin bojën përdredhjeve të mësipërme të autorit. “Diktatura,- pranon Stefani, – do të gjejë justifikimin dhe jo dënimin e vet historik duke mbetur model dhe aspiratë. Aq më tepër në rrethanën e një thuajse demokracie që në këta 20 e kusur vjet ka qenë më shumë një anarki e maskuar me shtet….Mungesa e shtetit po gëlltit pa fund jetë dhe shpresa njerëzore. . . se një kaos dhe antishtet nuk mund të mos jetë një atmosferë mjaft e përshtatshme për rikthimin e “shpëtimtarit”…., se nuk është fare rastësi që nostalgjia për ish diktatorin dhe diktaturën përjeton një baticë”!
Zoti Stefani, ne qytetarët e thjeshtë, e kemi të qartë pozicionin tuaj, pozicion i cili falë shtyllës tuaj kurrizore prej amfibi, ke rrëshqitur në stanin e borgjezëve, duke kaluar nga propaganda komuniste me të cilën u edukove, tek propaganda borgjeze ku u konvertove. Nuk je as i pari e as i fundit në këtë transformim pervers, që ju e bëtë për hir të një kocke që të hedh pronari borgjez. Shërbeji atij, sepse tek raca juaj “barku” është më i rëndësishënm se “balli”. Ama, mos u mundo të hedhësh baltë mbi Shqiptarin e madh Enver Hoxha, se as padroni yt nuk do të ketë lëverdi nga kjo lehje drejt Diellit të shqiptarëve. Dhe vijo t’i mbash leshrat për të treguar se si njeriu i shekullit njëzet e një me emrin Andrea Stefani, është kthyer edhe në pamje drejt shekullit të 17-të, atëherë kur Cari i Rusisë pati vënë berberë në çdo kryqëzim rrugësh për të qethur muzhikët me mjekrrat një pash!
11. Shkurt, 2016

Komente

Share This:

About admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Flet për MekuliPress oficeri nga Gjirokastra, ushtaraku aktiv i UÇK-së: Fjala e z. Krasniqi nuk është politikisht e drejtë

Nga MEKULIPRESS.INFO  – 12 Janar, 2018 Në intervistën për MekuliPress.info, oficeri shqiptar ...