Home / Lajme / PSE BORGJEZËT TANË NË PUSHTET E NË POLITIKË KANË FRIKË NGA KOMUNISTËT?!

PSE BORGJEZËT TANË NË PUSHTET E NË POLITIKË KANË FRIKË NGA KOMUNISTËT?!

Si në çdo vit tjetër edhe më 1 shkurt 2016 Komitetet e Veteranëve dhe Organizatat e Dëshmorëve të Rretheve Malësi e Madhe dhe Shkodër organizuan në Vrakë të Malësisë së Madhe një tubim përkujtimor me rastin e 72 vjetorit të rënies heroike të Heroit të Popullit Vasil Shanto. Në këtë tubim, si edhe në rastet e tjera, ishim të ftuar edhe ne përfaqësuesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë për Qarkun e Shkodrës.

Pjesëmarrja e ne komunistëve në këtë aktivitet të përvitshëm është shoqëruar me kërkesën tonë për të përshëndetur në emër të PKSH, kërkesë e cila bazohet në dy argumente: Së pari, – Partia Komuniste e Shqipërisë është një parti e ligjëruar dhe ka pozicionin e saj kushtetues në spektrin pluripartiak shqiptar, e për rrjedhojë ka të drejtë të marrë pjesë e të prononcohet ashtu si partitë e tjera politike në evenimentet historike të popullit tonë, veçanërisht ato që lidhen me LANÇ, të cilën ajo (PKSH) e organizoi dhe e udhëhoqi me sukses gjer në fitoren e madhe të Çlirimit. Së dyti – Heroi i Popullit Vasil Shanto, për të cilin organizohet takimi përkujtimor në Vrakë të Malësisë së Madhe, ishte ndër komunistët më të parë të vendit tonë; bashkëthemelues me Enver Hoxhën, Qemal Stafën etj. i Partisë Komuniste Shqiptare në 8 nëntor 1941; kandidat i Komitetit Qëndror i PKSH; i deleguari i kësaj Partie për organizimin dhe drejtimin e LANÇ në Qarkun e Shkodrës në vitet 1943-44. Bazuar në këta dy argumente, ne komunistët që përcjellim trashëgiminë historike dhe politike të Partisë Komuniste Shqiptare të themeluar në vitin 1941 prej Vasil Shantos me shokë, kemi jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë që në rastin e përkujtimit të Heroit të Popullit Vasil Shjanto, këtij komunisti legjendar e luftëtari të pashoq, të themi dy fjalë duke përcjellë mesazhin e Tij për lirinë dhe pavarësinë e vërtetë të vendit, aq shumë të nevojshëm në situatat kritike që po kalojmë, kur shtetarët e politikanët e sotëm borgjezë e kanë çuar vendin në buzë të greminës, aty ku diskutohet ekzistenca apo hupja e tij.
Por ndryshe mendon përfaqësuesi i pushtetit lokal për Malësinë e Madhe, i cili, megjithëse është i koalicionit të “Rilindjes”, dhe ka ardhur në drejtim të pushtetit edhe me votën e ne komunistëve, tenton të na ndalojë të themi fjalën tonë në këtë eveniment që lidhet qindpërqind me veprën e Partisë sonë Komuniste. Madje kërkoi hapur të hiqej edhe buqeta me lule shoqëruar me një shirit të kuq ku shkruhej P.K.SH., të cilën ne komunistët kishim vendosur në këmbë të shtatores së Heroit të Popullit Vasil Shanto.
Vetëm këmbëngulja jonë dhe qëndrimi korrekt i Kryesisë së Veteranëve të Malësisë së Madhe, bënë të mundur që ne komunistët të thonim fjalën tonë në ditën përkujtimore të Vasil Shantos, ish kandidat i Komitetit Qendror të PKSH, i cili ra heroikisht në përballje më mercenarët e shitur tek pushtuesi në 1 shkurt të vitit 1944. Theksojmë se përveç përfaqësuesit të Partisë Komuniste, asnjëri nga folësit nuk tha asnjë fjalë për PKSH si organizatore dhe udhëheqëse e LANÇ, dhe po ashtu, asnjë fjalë se çfarë funksioni kishte Vasil Shanto në Partinë Komuniste të kohës dhe në vetë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare!!!
Ofiqari i pushtetit lokal, dështimin e tij për bllokimin e fjalës së komunistëve, e “riparoi” duke i dhënë urdhër medias lokale që pjesën ku foli përfaqësuesi i Partisë Komuniste të mos e transmetonte në televizion, çka dhe ashtu ndodhi.
Shtrojmë pyetjen: pse pushtetarët dhe politikanët borgjezë kanë kaq shumë frikë nga fjala e komunistëve? Përgjigjen e kësaj pyetje në rastin e datës 1 shkurt 2016 në Vrakë të Malësisë së Madhe, aty pranë bustit të Heroit të Popullit Vasil Shanto, e dhanë të pranishmit në këtë tubim, të cilët fjalën e zjarrtë të përfaqësuesit të Partisë Komuniste e përcollën me duartrokitje të fuqishme e të shoqëruar me thirrjet “Të lumtë”! Çka nuk e bënë për asnjë nga folësit, fjalët e të cilëve ishin të zbehta dhe pa nervin që kërkon përkujtimi i jetës dhe veprës heroike të Luftëtarit të Lirisë, Komunistit legjendar, Heroit të Popullit vasil Shanto!
Kjo sjellje perverse e politikanëve dhe pushtetarëve borgjezë ndaj të vërtetave që lidhen me veprimtarinë e komunistëve e kanë bazën tek mendimi dhe bindja e tyre se Ylli i komunistit Vasil Shanto me shokë është shuar; se idealet komuniste kanë vdekur, se nuk mund të ketë më kauzë të revolucionit e as “Diell alegorik” të Migjenit, por vetëm natë të zezë sterrë si shpirti i borgjezëve të rinj në pushtet e në politikë, të cilët janë kthyer në bejlerë e skllavopronarë për të rrëmbyer edhe qindarkën e fundit të punëtorit, fshatarit dhe shtresave të varfra të qytetit e të fshatit.
Por më kot kënaqen me iluzione “Derrat e kënaqur” të borgjezëve të vjetër e të rinj, që janë instaluar në pushtet e mbahen aty duke reklamuar fasadën e grisur të demokracisë së tyre bastarde. Kjo fasadë po griset e do të griset çdo ditë gjersa të nxjerrë cullak mashtrimin e madh që i është bërë e po i bëhet popullit me sloganet boshe të kësaj demokracie, e cila nuk është asgjë tjetër veçse një diktaturë e pakicës mbi kurrizin e shumicës së popullit. Përpëlitjet për gjoja reformën në drejtësi, për dekriminalizimin e shtetit e të pushtetit, për luftën kundër korrupsionit etj. etj., nuk janë gjë tjetër veçse përpëlitje dredharake për t’i shpëtuar gjykimit të popullit, gjykim i cili nuk do të vonojë. Nuk do të vonojë sepse heronjtë si Vasil Shanto me shokë, edhe pse nuk rrojnë fizikisht, edhe pse shumicës jua kanë prishur bustet e monumentet, edhe pse pushtetarët kanë vendosur t’ju heqin dekoratat dhe titujt e fituar me gjak e me jetë, ata përsëri rrojnë midis nesh. Ata rrojnë midis nesh se rron vepra e tyre, e cila na frymëzon, na mobilizon e na udhëheq drejt lirisë e demokracisë së vërtetë.
Ne komunistët e sotëm, nën shembullin e komunistëve që realizuan dy epokat madhështore të popullit shqiptar – LANÇ dhe Ndërtimin e Shoqërisë Socialiste, nuk do të mungojmë për asnjë moment të jemi në ballë të luftës për një Shqipëri vërtet të lirë, të pavarur e të begatë, ashtu siç e ëndërronin Rilindësit tanë të mëdhenj; ashtu siç e realizuan Heronjtë e Dëshmorët e Atdheut si Vasil Shanto me shokë; ashtu siç e patëm për gjysmë shekulli nën drejtimin e Shqiptarit të Madh – Enver Hoxha.
Borgjezët do të vijojnë të na kenë frikë ne komunistëve, sepse e dinë fort mirë se e ardhmja i përket komunizmit! Ndërsa “Ylli” i zi i sistemit të tyre është drejt shuarjes!

About admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Rrëfimi i kolonelit: Kosova, nga plani sekret i Enver Hoxhës te sulmi i NATO-s

14-Mars-2019  Intervista/ Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen luftën ...