Home / Lajme / Një apel për Profesorin Rexhep Qosja dhe Shkrimtarin Ismail Kadare!

Një apel për Profesorin Rexhep Qosja dhe Shkrimtarin Ismail Kadare!

Nuk është e lehtë t’ju drejtohesh me një letër të hapur, e për më tepër me një apel atdhetar Profesorit të nderuar Rexhep Qosja dhe Shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Aq më shumë kur personi që u drejtohet, si në rastin tim, është një shqiptar i thjeshtë dhe pothuaj anonim krahasuar me dy figurat tona kombëtare, siç janë personalitetet e mësipërme. Por duke menduar se apeli im ka vlerë dhe adresë të saktë, po guxoi të mos ja ndal vrullin pasionit dhe qëllimit të kësaj ndërmarrjeje jo të lehtë për kapacitetet e mia.

I nderuar Profesor Qosja! I respektuar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare!
Qysh në krye dua t’ju prezantohem se kush jam, sepse edhe nëse kërkoni në ndonjë adresë elektronike, zor se do të hasni në të dhëna të plota për personin tim. Përveçse ndonjë shkrimi të rrallë e të zakonshëm nëpër faqet e shtypit të shkruar shqiptar, i cili i ka dritaret tepër të vogla për disa si puna ime, që kemi vendosur të mbetemi në anën e komunizmit, aq shumë të sulmuar në këta dy dekada e gjysmë të mbretërimit të “demokracisë” borgjeze në vendin tonë. Por ju siguroj se apeli im nuk përmban mesazhe ideologjike për komunizmin, por vetëm shqetësimin për gjendjen ku ndodhemi ne si komb, për identitetin tonë si shqiptar, i cili, sipas meje është vënë në riskun e ekzistencës apo të humbjes.
Ju me siguri i keni ndjekur dhe i ndiqni zhvillimet në Shqipëri, në Republikën e Kosovës dhe në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët etnikë. Në këto dy dekadat e fundit, veçanërisht me luftën çlirimtare të vitit 1999, që solli mëvetësinë e krahinës shqiptare të Kosovës, mund të themi pa frikë se koha ka punuar për ne shqiptarët. Por nga ana tjetër ne shqiptarët jo vetëm nuk kemi ditur ta administrojmë këtë kohë, por përkundër e kemi sabotuar atë, duke e kthyer në inversin e saj. Kur them “ne shqiptarët”, kam parasysh jo popullin, por elitën e tij politike e intelektuale, e cila, ka degjeneruar në atë shkallë, sa jo vetëm veprën, por edhe sjelljen formale e ka antishqiptare, çka na ka kthyer në atë pikë sa kemi turp të përdorim pasaportën tonë shqiptare, e cila, edhe në kohën më të errët të regjimit zogollian, ka pasur më dinjitet se në ditët e sotme.
Siç mund ta keni konstatuar edhe ju, jetën politike, ekonomike dhe shoqërore, veçanërisht në Shqipërinë natyrale dhe në të ashtuquajturën republikë të Kosovës e kanë akaparuar politikanë dhe parti politike, të cilat për interesa të grupeve e klaneve të tyre, janë vënë faktikisht me sjellje e me vepra kundër interesave kombëtare dhe në shërbim të reaksionit antishqiptar. Midis gjithë bëmave të zeza që kjo elitë politike i ka shkaktuar vendit, është goditja që i kanë dhënë e po i japin unitetit tonë si komb, elementit bazë të mbijetesës së tij në shekuj. Po kush bën pjesë në këtë elitë politike të shqiptarëve në ditët e sotme? Elita e inteligjencës? Jo, kurrsesi! Elita e shqiptarizmës? As që bëhet fjalë në këtë plan. Elita e vetëshpallur e politikës së sotme shqiptare nuk është përfaqësuese dhe mbrojtëse e ndonjë klase shoqërore të caktuar, por thjeshtë një konglomerat me shtresat më bastarde e të korruptuara të shoqërisë shqiptare. Kjo e ashtuquajtur elitë intelektuale e politike, falë rrethanave që u krijuan nga “ekonomia e lirë e tregut” – emërtim ky modern i sistemit kapitalist në fazën e tij të fundit, arriti të dalë në krye, të marrë frenat e vendit duke krijuar superklasën. “Kjo superklasë, – thonë analistët italianë Giulietto Chiesa dhe Marcello Villari, – është një komunitet bashkëkohorësh, kredoja e të cilëve është konsumi imediat i kohës, i natyrës, i kursimit, i pasurisë sociale. Është një klasë e cila horizont të vetëm të papërgjegjshmërisë së saj ka vetëvrasjen” (“Superklan” – kush e komandon ekonominë botërore, botim NEW MEDIA INSTITUT, 2004, faqe 33)
Është e sigurt se këtë të fundit, domethënë “vetëvrasjen” politikanët tanë aktualë do ta realizojnë. Moralisht dhe politikisht ata e kanë realizuar tashmë. U mbetet vetëm vetëvrasja fizike. Por gjer në fund të kësaj “odiseje” të pashmangshme rrezikon të vritet Shqipëria, Kosova dhe mbarë shoqëria shqiptare, e cila në këta njëzet e pesë vjet të tranzicionit të stërgjatur të gjoja “demokracisë”, kanë marrë e po marrin plagë të shumta, vështirësisht të shërueshme. Plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare është humbja e shpresës dhe besimit se Shqipëria mund të bëhet, çka i ka detyruar e po i detyron shqiptarët të braktisin çdo ditë e më shumë trojet e tyre, duke zgjedhur jetën e refugjatit. Partitë politike aktuale që kanë drejtuar e po drejtojnë vendin, me bilancin negativ që kanë “siguruar” gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, jo vetëm kanë dështuar në misionin e tyre, por janë bërë pengesë për ardhmërinë e vendit e madje shkaktare për degradimin e mëtejshëm të tij. Ndaj kjo klasë politike, me gjithë partitë që i grupojnë, duhet nxjerrë nga skena. Të paktën për një apo dy dekada.
Po, a mund të bëhet pa parti politike? A mund të ngrihet pushteti e shteti pa këto asete të kohës moderne? Historia e vetëqeverisjes së shqiptarëve në të kaluarën e pohon këtë mundësi. Aq më shumë e aq më mirë mund të realizohet kjo në kushtet aktuale, kur vendi ynë dhe gjithë trojet shqiptare zotërojnë një armatë të fuqishme intelektualësh të të gjitha fushave e të të gjitha profesioneve. Mjafton që kjo armatë të mos abandonohet siç është bërë aktualisht, por të organizohet e të vihet në krye të punëve. Këtë organizim të elitës së vërtetë shqiptare, pas së cilës do të shkonte i gjithë populli, mund ta realizojnë liderët që zotërojnë kualitete kombëtare dhe njëherësh edhe mbështetje popullore. Këta liderë unë mendoj se i kemi. Profesor Rexhep Qosja dhe shkrimtari Ismail Kadare do të ishin dy figura, që ashtu si “Moisiu”, do t’i prinin popullit tonë në rrugën e vërtetë të përparimit e të zhvillimit. Jo vetëm, por të mbështetur nga mijëra intelektualë të vërtetë shqiptarë, të cilët kanë në gjak shqiptarizëm të vërtetë, mjafton t’jua nxitësh e t’ju a vësh atë në lëvizje.
Materializmi dialektik na vërteton se historinë e bëjnë masat, ndërsa individët luajnë rol të veçantë. Në rastin tonë, roli i profesor Qosjes dhe i shkrimtarit të madh Kadare, është jo vetëm i veçantë, por madje edhe determinant. Kjo, falë kontributit të tyre në fushat përkatëse, kontribut me njohje kombëtare e ndërkombëtare dhe mbi të gjitha për popullaritetin që këta dy personalitete të letrave shqipe gëzojnë midis kombasve të tyre.
Poeti e shkrimtari i madh gjerman Johan Volfgang Gëte, për të nxjerrë vendin e tij nga prapambetja dhe kriza ekonomike ku e kishte futur neglixhenca dhe injoranca e feudalëve vendas të shekullit të 18-të, la mënjanë letrat e artit dhe ju fut studimeve gjeologjike, duke përcaktuar shkencërisht ligjësitë e mineraleve të dobishme dhe mundësinë e shfrytëzimit të tyre në interes të vendit. Jo vetëm kaq, por vullnetarisht mori detyrën e ministrit, dhe rihapi minierat që shtetarët injorantë i kishin mbyllur si të panevojshme. Ishte ky veprim, i cili e nxori Gjermaninë nga kriza dhe e rreshtoi atë hap pas hapi me ekonomitë e zhvilluara të Francës, Anglisë etj. Për të ardhur më afër në kohë, dhe pikërisht tek Rilindësi ynë i madh, Abdyl Frashëri, i cili la gjithçka kishte krijuar në jetë, për tu vënë në shërbim të çështjes kombëtare, duke realizuar e udhëhequr Lidhjen e famshme të Prizrenit, që i doli zot vatanit në çastet më kritike të ekzistencës së tij.
Janë pikërisht këta shembuj e të tjerë si këta, që më nxisin t’ju drejtohem dy personaliteteve të spikatura të vendit tonë, Profesor Qosjes dhe Shkrimtarit Kadare. Të dy këta personalitete, falë meritave dhe kontributeve në fushën e letrave shqipe me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, janë propozuar e nominuar për “Nobelin” e madh. Marrja e këtij çmimi, do të ishte një arritje dhe sukses i shënuar për çdo shqiptar. Ndaj dhe unë dëshiroj e uroj që kjo të realizohet. Por nëse ata do të merrnin përsipër të inicionin e të realizonin një Lidhje të re të Shqiptarëve, si ajo e vitit 1878 në Prizren, apo si ajo e vitit 1942 në Pezë, atëherë çmimi i famshëm “Nobel”, do të dukej liliput përpara çmimit të madh të Kombit, i cili pret prej elitës së tij ta rinxjerrë nga tuneli i errët ku elita bastarde politike e ka futur në këto dy dekada e gjysmë.
Padyshim që kjo nuk është e lehtë, madje është një aksion tepër i vështirë. Por pikërisht vështirësitë i dallojnë liderët dhe burrat e kombit nga qytetarët e zakonshëm. Jam i sigurtë që mbështetja e këtyre dy figurave në këtë aksion mbarëkombëtar, do të jetë popullore. Aksioni në fjalë nuk duhet të ketë nëpër këmbë partitë politike, të cilat për fat të keq, në shumicë janë krijuar jo për interesat e vendit, por për ato të klanit apo të individëve. Dhe për këtë, ashtu siç cekëm edhe më lart, ato duhet të nxirren në “stolin rezervë”, ku pasi të ristrukturohen e të bëhen parti të vërteta politike, të rifuten në fushën e lojës, por të veshura me kostum kombëtar.
Anija jonë me emrin Shqipëri aktualisht gjendet në det të hapur duke u tollovitur nëpër dallgët e korrupsionit e të kontrabandës që tani në kohën e globalizmit janë në lulëzim. Timonin e anijes sonë e kanë rrëmbyer piratët e epokës “moderne”. Nëse do ta lëmë në dorë të këtyre të fundit, atëherë ajo me siguri do të përplaset e do të shkërmoqet pa arritur të dalë në breg. Kjo nuk duhet lejuar, nëse nuk duam të kthehemi, siç perifrazonte kancelari i famshëm i shekullit të 18-të, në një shprehje gjeografike në brigjet e Adriatikut.

About admin

Leave a Reply

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...