Home / Lajme / KUR HUMBET NDJENJA KOMBËTARE

KUR HUMBET NDJENJA KOMBËTARE

Kur i hoqën milicët shqiptarë nga puna, në fillim të vitit 1990, njëri nga ata më pyeti, “Çka do të ndodh me fatin e tonë tash, kur të fitojnë shqiptarët?” Unë iu përgjigja: “Nëse fiton LDK, ju do të jeni të rehabilituar, e nëse fiton programi im me shokët, ata që na kanë ndjekur asfaltit e arave, ata që në bastisje i kanë mëshuar me shqelma rrobave dhe orendive, ata që na kanë keqtrajtuar në praninë e familjes, ata që me tytë automatiku në praninë e fëmijëve janë munduar ta frikojnë të arrestuarin dhe anëtarët tjerë të familjes, ata që na kanë rrahur në organe të policisë, ata që na kanë sharë nënën tonë e kombëtare, ata që na kanë sharë flamurin, ata që na kanë sharë Republikën etj.

Për ata do të ketë gjykim, së pari moral, do të mbesin të papunë, e varësisht prej peshës së veprës ndonjëri edhe mund të dënohet me burg!” Të pranishmit, sepse ishte vend publik, me shikuan, dikush me përbuzje, dikush me dhembshuri, dikush me miratim të mendimit tim, e parashtruesi i pyetjes ishte Ai që i kishte bërë të gjitha këto që i përmenda më lart. “Ti do të jesh një nga ata që do të dënohen!” Ia thash preras dhe u largova.

Pas njëzet vjetësh na përsëritet koha

Atëbotë urdhri vinte nga Prishtina, nganjëherë, që ne i quanim vasal e tradhtarë, për të cilën edhe kolegu Ynë z. Nauit Hasani ka ngritur padi penale kundër tyre edhe ndodhte edhe të vinin nga drejtpërsëdrejti nga Beogradi, e sot?!
Sot urdhri vjen nga Prishtina, të paktën ashtu mendojnë qytetarët, ndërsa unë me bashkëmendimtarët e mi e dimë mirë se prej kujt i merrni urdhrat. Atëherë milicët shqiptarë kishin bindje se Jugosllavia e Titos nuk mund të shkatërrohet, sepse këtë e thoshte politika zyrtare në Beograd e Prishtinë. Atë e thoshte politika gjithë jugosllave, atë e thoshte politika gjithë botërore, përveç ajo e Tiranës. Edhe sot e njëjta propagandë zhvillohet, politika e Ahtisarit dhe e Rezolutës 1244 nuk mund shkatërrohet, por sot janë të përfshirë të gjithë, edhe ajo e Tiranës. Pra, koha po përsëritet në propagandën e verdhë. Në kuadër të propagandës së verdhë zhvillohet e rritet kolona e pestë, e cila nuk ka ndjenja kombëtare, do të thotë nuk ka ndjenja njerëzore. Ajo është robotike, vetëm merr urdhra për të zbatuar dhe i zbaton me sukses.

Ka ndjenja kombëtare Ministri dhe Komandanti i njësitit special?

Kur gjërat përsëriten për dalje nga kompetencat dhe nuk ndërmerren veprime kundër shkelësve të Ligjit, atëherë do të përfundojmë se edhe këta dy nuk kanë ndjenjë kombëtare. Nuk kanë në vete këtë ndjenjë me vetë faktin, se rrahjet brutale dhe përdorimin i tej mase i gazit lotsjellës kundër njerëzve duar zbrazët. Këta shkojnë edhe më larg, heshtin edhe kur grushtohen e shqelmohen nga milicët(!) civilë përbrenda organe të policisë, me qëllim të caktuar, siç bënin dikur organet e hetuesisë së UDB. Ndoshta edhe janë bijë besnikë të baballarëve të tyre, që kishin mision të caktuar të topitnin ndjenjën kombëtare.
Çka i shtynë këta dy të heshtin kundër këtij fakti, që këtë imazh nuk e kemi parë as në Greqi, as në Francë as në Spanjë e Gjermani gjatë demonstrimit të qytetarëve, ku edhe vihej në flakë ndonjë objekt vital qeveritar. Çka i shtynë këta dy të heshtin kur publikohen edhe rrahjet në zyrat e policisë nga civil, të cilët shfryjnë epshet e veta shtazarake, nga KMLDNJ?! “Për disa pare që i fitoni, besën e të parëve po e harroni” do të thotë i madhi Pashko Vas Shkodrani. Po vetëm paraja e posti mund të marrin ndjenjën e njeriut në radhë të parë e pastaj ndjenjën e kombëtarit. Ju dy përfaqësoni moralin e pushtetit dhe a është ky pushtet i moralshëm, apo edhe ju, si dikur Kryeministri Çeku, do t’i kërkoni falje “viktimave”, sepse kështu sot e do pushtetin e nesër keni të drejtë të jepni mendimin e qytetarit, për mua të qyqarit.

Kërkoj një minutë ndërgjegje nga z. Jakup Krasniqi

Pse bash nga Ju z. Krasniqi kërkoj një minutë ndërgjegje, e jo nga të tjerët. Ndoshta edhe lexuesit do të parashtronin pyetjen të habitur, pse këtë nuk e kërkoj nga Kryeministri z. H. Thaçi, Ministri z. B. Rexhepi apo nga Komandanti i forcave speciale?!
Unë dhe Ti z. Krasniqi, bashkë edhe me dyzet e katër vetë (44) me vargojë të kafshëve të lidhur në duar, me transportierë të mishit kemi udhëtuar nga Prishtina deri në Gospiç. Bukur shumë ka zgjatur udhëtimi, këtë e di mirë. Edhe peripecitë e udhëtimit i di mirë, sidomos kur të lidhur na kanë futur në transportierë. I ke parë këto skena gjatë veprimeve të policisë, që e kishim si ëndërr për ta krijuar, sa herë që i shuajnë demonstrimet dhe bëjnë arrestime?! Me siguri se i ke parë. Z. Krasniqi ne kemi parë edhe prapaskenat, që qytetarët nuk i kanë parë, kur rriheshim në dhoma dhe korridore të Gospiçit. Ne mbajmë mëri dhe i urrejmë ata që vepruan kështu. Populli na besoi në kërkesën tonë, në torturat tona dhe na ndihmoi në rrugëtimin tonë deri në mbarim të luftës.
Sot z. Krasniqi minarja nuk po mundë të hyj në thes, sepse atëherë ndaloheshin të gjitha vizitat e asociacioneve që merren me të drejtat e njeriut, madje edhe vizitat familjare, derisa na shëroheshin plagët. Mu për këtë ka mbetur në ndërgjegjen tonë të flasim për torturat e Gospiçit ashtu siç kanë ndodhur, madje duhet të jenë penda të mprehta për t’i përshkruar ato. Sot këto të vërteta, prapa skenave që luhen, po i nxjerrin këto asociacione dhe lexo mendimin që jep KMLDNJ për këtë rast të fundit.
Mu për këtë kërkoj një minutë ndërgjegje publike, për të na sqaruar: Pse të arrestuarit torturohen nga policët gjatë transportimit për në organe të policisë dhe pse po torturohen përbrenda po atyre organeve? Mos vallë edhe këta të sotmit po e shajnë flamurin dhe himnin kombëtar?! Mos vallë edhe këta të sotmit po e shajnë bashkimin kombëtar?! Mos vallë edhe këta të sotmit po e shajnë të drejtën e vetë deklarimit, që ne dy në procese gjyqësore e kemi mbrojtur dhe atë me krenari se po bëjmë punë të shenjtë kombëtare?! Mos vallë ke harruar gjakun rinor të derdhur për këtë parim?! Mos vallë nuk po i sheh gjërat nga “Maja e kodrës” siç është shprehur dikur Niksoni?!
Z. Krasniqi, ndoshta je nga të vetmit që populli dhe media kanë krijuar një përshtypje se je më parimore, më kritiku, më i sinqerti, pa marrë parasysh mendimin tim që pak më ndryshe i shoh problemet nga ana analitike, prandaj i mbetesh borxh këtyre besimtarëve tu të japish mendimin publik, qoftë në cilësinë e vetës tënde, qoftë në cilësinë e Kryeparlamentarit. Çfarë të keqe i bëri Sali Zyba kombit, për të cilën kishte luftuar edhe babai i Tij i ndjerë, Haxhi Zyba, që mori pjesë në të tria luftërat për çlirim dhe bashkim kombëtarë, rrugë që ia kishte trasuar babai dhe Betimi i UÇK dhe duke u bindur në këto vlera lëshoi Gjermaninë dhe erdhi në luftë. Ai po e ndien se nuk guxohet të nëpërkëmbët mundi dhe gjaku i babait të tij në çelitë e burgut dhe betimi dhe gjaku i dëshmorëve të kombit. Mundohet të jetë një vazhdues i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, të cilën edhe unë e Ti e dimë se nuk ka përfunduar. Pse mu këtij djali iu ndërpre marrëdhënia e punës nga organet qeveritare dhe pse mu këtij djali i hynë civilët në dhoma të arrestit dhe e torturojnë për vdekje. Pse i mbetët besnik idealeve të lirisë, pse i mbetet besnik idealeve të babait me shokë, pse pati guxim të rroki armën në të tria luftërat?! Mendja ma thotë se emri i Tij është në regjistrin e marrë nga Ministri z. Raxhepi prej Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe përmes policëve të caktuar po e vë në zbatim për ta shkatërruar psikikisht e fizikisht.
Është e moralshme dhe Ligjore ky veprim, për torturimin e të arrestuarve gjatë rrugës dhe në organe të policisë, nga policia?! nëse jo dhe kam bindje se është kundërligjore, gjeni këta “Trima”, ua zhvishni uniformën dhe bëni padi penale. Nëse nuk bëhen veprime të tilla, mund të përfundojmë se disa i kanë aktakuzat e ngritura nga organet e punëve të brendshme të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë dhe zbatohen me përpikëri nga pushtetarët në Prishtinë, ndryshe nuk mund të arsyetohet heshtja.
Populli do të flasë!

Prishtinë, 14.06.2010

About admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Intervista / Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën 03/11/2018 Gjatë vizitës së paralajmëruar në ...