Home / Lajme / Deklaratë për Shtyp nga Instituti Antonio Gramshi* Protestë ndaj arrestimit të dhunshëm të Albin Kurtit

Deklaratë për Shtyp nga Instituti Antonio Gramshi* Protestë ndaj arrestimit të dhunshëm të Albin Kurtit

Sot, më 12 qershor, pikërisht në përvjetorin e njëmbëdhjetë të çlirimit të Prishtinës prej regjimit shtypës së Millosheviçit, kryeqendra e Kosovës u bë sërish skenë për akte represive, kësaj radhe prej Shërbimit Policor Kosovar, që koordinohet nga qeveritarët e zgjedhur dhe të kontrolluar nga EU-LEX.

Pikërisht në momentin kur Lëvizja për Vetëvendosje shpalli formalizimin e saj si parti politike që ka për qëllim të vetëm realizimin e shprehjes sovrane politike të popullit të Kosovës, sipas parimit të njohur ndërkombëtar të Vetëvendosjes së Popujve, policia kosovare ndërhyri dhunshëm, duke përdorur gaz lotsjellës, dhunë fizike e sende të forta për të bastisur zyrat e Lëvizjes për Vetëvendosje. Rezultat i kësaj bastisje të dhunshme qe arrestimi i Albin Kurtit dhe i shumë aktivistëve të tjerë. Mbi këta aktivistë është ushtruar dhunë, e një pjesë e tyre janë lënduar rëndë në pjesë vitale të trupit, katër prej tyre janë plagosur në kokë, ndër ta dhe vetë Kurti.
Në emër të Institutit Antonio Gramshi në Tiranë, dhe në emër të redaksisë së botimit të përjavshëm “GAZETA”, ne denoncojmë sjelljen kafshërore të Shërbimit Policor të Kosovës, dhe protestojmë ndaj përndjekjes që i bëhet Albin Kurtit dhe aktivistëve të Vetëvendosjes.
Kjo përndjekje vijon në gjurmët e censurës dhe të represionit që ushtrohej ndaj çdo shprehje të qytetarisë e të aktivizmit politik gjatë regjimit të Millosheviçit. Po njësoj, me të njëjtat mënyra, po vepron sot EU-Lex dhe strukturat ndërkombëtare të cilat pasi kanë sjellë në pushtet një klasë administratorësh të korruptuar, dhe pasi i kanë mohuar vendimmarrjen popullit shqiptar të Kosovës, sot shtypin egërsisht çdo zë që guxon të thotë të vërtetën, çdo lëvizje që synon të organizojë qytetarët që nuk pranojnë t’i nënshtrohen një realiteti shqetësues.
Në të njëjtën kohë, ne jemi të sigurt që rezistenca dhe aktivizmi i Vetëvendosjes do të gjejë mbështetje gjithnjë e më të gjerë si ndër shqiptarë të Kosovës, ashtu edhe ndër ata të Shqipërisë, por edhe më gjerë, në të gjithë komunitetin e shëndetshëm të qytetarëve aktivë, kudo që ata veprojnë nëpër botë. Ne besojmë se e vetmja mënyrë për t’i rezistuar represionit e korrupsionit me të cilin përballemi, është solidariteti aktiv, dhe kjo është ajo çka i ofrojmë Lëvizjes për Vetëvendosje në këto momente të vështira.
Instituti Antonio Gramshi angazhohet publikisht që nëpërmjet publikimeve, aktiviteteve mediatike, aktiviteteve në terren, organizimit të aktivistëve, e deri edhe organizimit të protestave demonstrative, të këmbëngulë për vendosjen e drejtësisë për rastin e humbjes së jetës së aktivistëve të Vetëvendosjes në 10 shkurt 2007, por edhe për vendosjen e drejtësisë për rastin e përndjekjes dhe censurimit të vazhdueshëm të Albin Kurtit, përndjekje që ka nisur që në vitin 1997 e vijon deri më sot. Vendosja e drejtësisë në këto raste të aktivizmit qytetar është e lidhur ngushtë me vendosjen e drejtësisë në të gjithë Kosovën, një drejtësi që s’mund të burojë veçse nga institucione e nga një kushtetutë të zgjedhur e të votuar prej vetë popullit të Kosovës, sepse atij, dhe vetëm atij i takon sovraniteti mbi atdheun e vet.
Instituti Antonio Gramshi – Shqipëri
Krenare Krasniqi
Sekretariati i VETËVENDOSJE!-s për Media dhe Komunikim

Tiranë, 12.06.2010

About admin

Leave a Reply

x

Check Also

Palmer: Nuk vendosim afate e as vija të kuqe në bisedimet Kosovë – Serbi

5 Qershor 2019 Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha ...